Tentoi të kalonte kufirin me identitet tjetër, arrestohet shtetasi turk në Durrës

Një 44-vjeçar turk u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në portin e Durrësit, duke i dhënë një pasaportën false bashkëkombasit të tij, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme. Turku tani ndodhet pas hekurave dhe do të përballet me drejtësinë shqiptare.

Njoftim policie 

Evidentohet dhe goditet një rast tjetër i dhënies ndihmë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

U kap në flagrancë duke i dhënë një shtetasi të huaj, një pasaportë false, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, vihet në pranga 44-vjeçari (shtetas turk).

Shërbimet e PKK Port Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, kanë evidentuar një rast tjetër të dhënies ndihmë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Si rezultat, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi:

-A. S., 44 vjeç (shtetas turk), banues në Francë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

44-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në portin e Durrësit, duke i dhënë shtetasit N. F. (turk), pasaportën e një shtetasi tjetër, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 18.11.2022 13:27