Tentoi të dilte nga Shqipëria me pasaportë të falsifikuar, arrestohet 45-vjeçari nga Maqedonia e Veriut i dënuar për vrasje

Një 45-vjeçar nga Maqedonia e Veriut është arrestuar pasi tentoi të dilte nga Shqipëria me pasaportë me ngjashmëri të një shtetasi nga Serbia.

Pas verifikimeve rezultoi se 45-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga RMV për vrasje.

“Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Policisë Kufitare të portit të Durrësit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës, Interpol Shkupit dhe Interpol Beogradit, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut, shtetasi D. S. alias D. I., 45 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut”, njofton policia.

Ky shtetas ka tentuar të dalë nga Republika e Shqipërisë dhe t’iu shmanget autoriteteve, duke përdorur një pasaportë me ngjashmëri, të një shtetasi nga Serbia, me rekorde kriminale.

Pas verifikimeve të thelluara të kryera nga Policia, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka rezultuar ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet e RMV-së, pasi Zyra e Prokurorisë i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga Kodi Penal i këtij shteti. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, vijon procedurat për ekstradimin e 45-vjeçarit./Albeu.com


Shtuar 10.10.2023 10:22