Tensioni në veri, ambasadori i SHBA: Masat e dhunshme të ndalen menjëherë

Ambasada e SHBA-së në Kosovë i ka dënuar veprimet e autoriteteve të shtetit të Kosovës për t’i futur kryetarët e rinj në objektet e komunave.

Në një reagim në profilin e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, thuhet se “masat e dhunshme” duhet të ndërpriten menjëherë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet që po vazhdojnë nga autoritetet kosovare për të hyrë në objektet e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndalen menjëherë”, ka shkruar Hovenier.

Turma njerëzish janë mbledhur para objekteve të komunave veriore, pasi nëpër këto qytete janë dëgjuar sirena.

Policia ka arritur të shpërndajë turmat në Zubin Potok dhe në Zveçan, duke mundësuar hyrjen e dy kryetarëve të rinj.

Në Zvecan ka eskaluar situata. Janë dëmtuar vetura të Policisë, ndërsa raportohet për së paku 5 policë të lënduar.


Shtuar 26.05.2023 17:39