Tensionet në veri/ Lajçak e Escobar vizitojnë nesër dhe pasnesër Kosovën dhe Serbinë

I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak dhe ai i SHBA-së, Gabriel Escobar të hënën dhe të martën do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, i cili tha se Escobar dhe Lajçak këtë vizitë do e zhvillojnë për depërshkallëzimin e tensioneve në Veri.

“Mund të konfirmoj se përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak do të shkojë në Prishtinë dhe Beograd të hënën dhe të martën, së bashku me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, për të ndjekur thirrjet e nivelit më të lartë të BE-së për de-përshkallëzimin e tensioneve në veriun e Kosovës”, ka thënë ai për KP.

Diplomacia perëndimore ka vazhduar thirrjet që Kosova dhe Serbia të marrin veprime për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës kur për më shumë se një javë po mbahen protesta para ndërtesave të komunave.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, shkroi të shtunën në rrjetet sociale se ka biseduar për këtë cështje me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke e inkurajuar “të nxisë qetësinë mes serbëve të Kosovës, të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri të Kosovës dhe të kthehet në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Një ditë më parë Shtëpia e Bardhë tha se zëvendës këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën në veri.

Që prej 26 majit situata në veri të Kosovës është tensionuar, pasi qytetarët serbë nisën protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq./albeu.com/


Shtuar 4.06.2023 08:45