Presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti rus Vladimir Putin po flasin në telefon teksa shqetësimet mbi një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës po përshkallëzohen.
Biseda filloi në orën 11:04 të mëngjesit sipas orës në SHBA, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Thirrja midis dy liderëve vjen disa orë pasi SHBA-ja zhvendosi disa nga forcat e saj nga Ukraina dhe urdhëroi evakuimin e pjesës më të madhe të stafit të ambasadës së saj të shtunën, pasi frika shtohet se një pushtim rus i vendit mund të ndodhë në ditët e ardhshme.
Lëvizjet ishin një tjetër shenjë se SHBA ka frikë se Putini mund të urdhërojë një pushtim në çdo kohë, vetëm një ditë pasi këshilltari i sigurimit kombëtar të Biden paralajmëroi amerikanët në Ukrainë të largoheshin dhe se aksioni ushtarak mund të fillonte me një bombardim ajror që mund të vriste civilë.
Përpara telefonatës, Ministria e Punëve të Jashtme ruse akuzoi vendet perëndimore dhe median për përhapjen e një “fushate dezinformimi në shkallë të gjerë” rreth një pushtimi gjoja të afërt rus të Ukrainës “me qëllim që të largojnë vëmendjen nga veprimet e tyre agresive”.
“Në fund të vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022, hapësira globale e informacionit u përball me një fushatë mediatike të paprecedentë në shkallën dhe sofistikimin e saj, qëllimi i së cilës është të bindë komunitetin botëror se Federata Ruse po përgatit një pushtim të territorit të Ukrainës. ”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë të publikuar në faqen e saj.
Putin dhe Biden folën për herë të fundit në telefon në fund të vitit të kaluar. Para kësaj, më 7 dhjetor, ata kishin negociuar përmes video-konferencës. Takimi i parë ballë për ballë midis Putinit dhe Bidenit si kryetarë shtetesh u zhvillua në Gjenevë në qershor 2021.