Tensionet në Kosovë, Xhaferraj: Qeveria injoroi kërkesën e Komisionit të Sigurisë për mbledhje, respekton Vuçiçin

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Ferdinand Xhaferraj ka denoncuar ditën e sotme, injorimin sipas tij, nga ana e Kuvendit për mbledhjen e këtij Komisioni në dhjetor 2022.

Xhaferraj theksoi se mbledhja e këtij Komisioni ishte kërkuar për shkak të situatës shqetësuese të krijuar në very të Kosovës dhe pas deklaratës së Vuçiçit, i cili kërki rikthimin e trupave serbe në Kosovë.

Mbledhja urgjente ishte kërkuar me ministren Olta Xhacka, ministrin Niko Peleshi dhe Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo.

Demokrati bën me dije se qeveria ka injoruar Kuvendin dhe nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.

Xhaferraj: Kjo na bën të besojmë se qeveria ka injoruar Kuvendin e Shqipërisë së ka respektuar Vuçiçin.

Deklarata e plotë:

Jam sot para jush për të denoncuar një akt të pashembullt, të injorimit të Kuvendit nga qeveria e Shqipërisë. Gjithçka ndodh në një situatë kur ish-ministri i Millosheviçit, kërcënon me luftë qytetarët e Kosovës.

Konform parashikimeve ligjore mbi angazhimin e deputetëve të Komisionit të Sigurisë, një grup prej nesh kemi kërkuar që më datë 19/12/2022 mbledhjen e këtij komisioni për shkak të situatës shqetësuese të krijuar në veri të Kosovës.

Më së shumti, kjo kërkesë erdhi pas deklaratës së Presidentit Vuçiç për futjen e ushtrisë serbe në këtë territor.

Siç konfirmohet edhe në dokumentet që do t’ua vë të gjithëve në dispozicion, kërkuam një seancë dëgjimore urgjente në komision me: Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhacka; me ministrin e Mbrojtjes, z. Niko Peleshi; dhe Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, z. Helidon Bendo.

Përmes kësaj seance dëgjimore synonim vënien në dijeni të komisionit si edhe të Kuvendit mbi hapat e mëtejshme të Republikës së Shqipërisë në politikën e jashtme përballë këtyre zhvillimeve të rrezikshme për Kombin Shqiptar.

Referuar sa më sipër, në cilësinë e zv.kryetarit të Komisionit të Sigurisë, i kam kërkuar Kuvendit më datë 20/12/2022 pjesëmarrjen në këtë seancë dëgjimore edhe të deputetëve nga Kuvendi i Kosovës, pjestarë të Komisioneve për Cështjet e Sigurisë dhe Mbikëqyrjes se Agjencisë së Inteligjencë, nisur nga një marrëdhënie e ngjushtë bashkëpunimi mes komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës si edhe situata kritike me të cilën po përballet Kosova.

Por çfarë ndodhi?

Me një akt të pashembullt, qeveria ka injoruar krejtësisht Kuvendin duke mos iu përgjigjur kësaj kërkese.

Kjo na bën të besojmë se qeveria ka injoruar Kuvendin e Shqipërisë së ka respektuar Vuçiçin.

Them këtë sepse qeveria shqiptare nuk ka guxuar asnjëherë të dënojë deklaratat luftnxitëse të Presidentit Vuçiç duke futur forcat serbe në Kosovë, i cili në fakt është një dorë e zgjatur e Millosheviçit dhe shovinizmit serb në rajonin tonë.

Qeveria shqiptare injoron Kuvendin, rrjedhimisht edhe shqiptarët sepse dëshiron të rrijë në çadrën e Ballkanit të Hapur, me Vuçiçin si bashkëthemelues.

Krahas cënimit të interesave kombëtare, ky veprim i qeverisë duke injoruar Kuvendin është një qasje e paprecedentë edhe në raport me kriteret politike në një kohë kur kemi hapur negociatat me BE-në, ku një dimension të rendësishëm ka edhe mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit./Albeu.com/

 

 

 

 


Shtuar 11.01.2023 14:06