Tenderi i druve dhe tentativa për pengimin e zgjedhjeve, akuzat që rëndojnë mbi ish-kryebashkiakun e Pogradecit

Ish-kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri ka përfunduar në gjykatë. SPAK njoftoi këtë të martë se ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën për dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të tij dhe të 5 zyrtarëve të Bashkisë së Pogradecit.

Po për çfarë akuzohen?

Ish-kryebashkiaku i PD dhe 5 ish-zyrtarët akuzohen për dy shkelje të rënda. E para lidhet me një tender për “Blerje dru zjarri”, me fond limit 9 268 000 lekë (pa tvsh).

Gjithashtu, Karpi akuzohet se ka tentuar të pengojë zgjedhjet e 2019.

Fakti i parë penal, lidhet me procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Blerje dru zjarri”, me fond limit 9 268 000 lekë (pa tvsh), e zhvilluar në datën 27.10.2017, nga autoriteti kontraktor, Bashkia Pogradec”.

Nga hetimi, rezultoi e provuar se titullari i Autoritetit Kontraktor, Eduart Kapri në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano, kanë kryer veprime që kualifikohen në veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Fakti i dytë penal ka lidhje me ngjarjen e datës 28.06.2019, ku janë arrestuar në flagrancë shtetasit Gurali dhe Safet Blaceri, duke vënë dryna me çelës në rrethin e jashtëm në tre shkolla dhe një kopsht, institucione këto që ndodhen ne lagjet nr.2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, të cilat ishin miratuar si qendra votimi nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019.

Nga hetimi ka rezultuar e provuar se nga ana e shtetasit Eduart Kapri, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri, me detyrë mirëmbajtës në Qendrën Arsimore, Pogradec, janë bërë tentativa për të penguar procesin zgjedhor që do të zhvillohej në datë 30.6.2019. Në kushtet kur nuk ka patur asnjë kërkesë për sigurinë e tyre, janë kryer veprime konkrete për mbylljen e këtyre institucioneve.

Shtuar 13.07.2021 09:14