Policia e Lezhës thotë se vijon megaoperacioni ‘’Tempulli’’, në kuadër të të cilit, në Laç, janë evidentuar dhe goditur 2 raste të përshtatjes së lokaleve për përdorim dhe shitje të drogave, si dhe janë sekuestruar kokainë dhe kanabis.
Në qytetin e Laçit, Alfons Marku, 34 vjeç, kishte preshtuar lokalin e tij, për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash kanabisi.
Ndërsa ditën e djeshme, në Gjormë, u arrestua shtetasi Fatjon Gjoka, 29 vjeç, i cili kishte përshtatur lokalin për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash të lëndës narkotike kokainë.
“Prej fillimit të megaoperacionit “Tempulli” deri sot janë goditur 12 raste dhe janë arrestuar 12 shtetas që tentonin të shitnin drogë, në afërsi të shkollave dhe në lokale.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë dhe komisariatet në varësi të saj, me stafet e reja drejtuese, menaxhuese dhe zbatuese, kanë intensifikuar punën, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, mbrojtjen e pronës, si dhe ndjekjen në dinamikë, me përparësi, të shqetësimeve dhe të adresimeve të qytetarëve.
Njëkohësisht, strukturat policore, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla, stafet pedagogjike, psikologët dhe punonjësit socialë, janë të angazhuar maksimalisht për të zbatuar me rigorozitet masat e sigurisë të përcaktuara në Paketën e re për Sigurinë në shkolla”, thuhet ne njoftimin e policisë.