Të vrarë pafund, shkatërrime kolosale, por pse Rusia dhe Ukraina nuk duan që të negociojnë midis tyre

Nga Robert Farley “19 FortyFive

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pyetjet nëse dhe si komuniteti ndërkombëtar duhet ta nxisë Ukrainën dhe Rusinë të hyjnë në negociata midis tyre, kanë qenë deri më tani të paqarta sa i përket strukturës së negociatave. Luftërat për pushtime territoriale janë bërë një dukuri e rrallë dekadat e fundit.

Po ashtu, është edhe më pak e zakonshme që fuqitë bërthamore të gjenden në situatat e një cenueshmërie konvencionale në lidhje me viktimat, vendin e të cilëve ata kanë vendosur ta pushtojnë. Por konferencat e paqes janë çështje tejet komplekse. Prandaj ia vlen të mendojmë që tani mbi disa nga modelet e negociatave që kemi në dispozicion për t’i dhënë fund konfliktit.

Lufta e Vietnamit dhe Marrëveshja e Paqes e Parisit

Marrëveshjet e Paqes së Parisit, që ishin produkt i negociatave disavjeçare midis Shteteve të Bashkuara, Vietnamit të Veriut, Vietnamit të Jugut dhe rezistencës komuniste brenda Vietnamit të Jugut, kanë disa ngjashmëri sipërfaqësore me situatën aktuale në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara u përpoqën të largoheshin ushtarakisht nga Vietnami duke siguruar sovranitetin e klientit të tyre. Kjo nuk është një analogji e përsosur për luftën aktuale Rusi-Ukrainë, por sigurisht që ka një lloj paralelizmi.

Sepse edhe në këtë rast SHBA-ja  dëshiron fundin e luftës, por më parë dëshiron të sigurojë që Ukraina të mbetet sovrane dhe e pavarur. Nga ana e saj, Rusia dëshiron ta kufizojë shumë sovranitetin ukrainas, ndërsa po anekson një pjesë të territorit të këtij vendi.

Në fund bisedimet sollën një tërheqje të trupave amerikane, edhe pse nuk pati ndonjë ndërprerje të ndjeshme të dhunës nga të gjitha anët. Pjesa më e madhe e kësaj dhune buronte nga dëshira për të ndryshuar kushtet e negociatave, megjithëse disa (si bombardimi gjatë Krishtlindjeve në Hanoi), ishte pjesë e një përpjekjeje për ta siguruar qeverinë e Saigonit se nuk po braktisej.

Megjithatë, fakt është se Marrëveshja e Paqes e Parisit nuk i dha fund luftës në Vietnam. Ajo vetëm sa e kufizoi rolin e SHBA-së në atë luftë. Lufta vazhdoi edhe për 3 vite të tjera në nivele të ndryshme intensiteti, përpara se Vietnami i Veriut ta pushtonte dhe shkatërronte Vietnamin e Jugut përmes një sulmi në shkallë të gjerë.

Me pak fjalë, Marrëveshja e Paqes e Parisit është një model i mirë për negociata, nëse synimi i Shteteve të Bashkuara është të krijojë një interval të mirë dhe politikisht komod midis një armëpushimi dhe një humbjeje të Ukrainës. Nuk ka gjasa që Rusia ta fshijë Ukrainën nga harta.

Madje mund të jetë e mundur të shmanget një luftë tjetër, në varësi të shpejtësisë së plotësimit nga Kievi të kërkesave ruse. Por çështja do të ishte pranimi nga Perëndimi i animit të Ukrainës në sferën e influencës ruse. Ndërsa ka me siguri disa amerikanë që do të ishin të kënaqur me këtë rezultat, ai bie ndesh me politikën ekzistuese të SHBA-së.

Shpërbërja e Jugosllavisë dhe Marrëveshja e Dejtonit

Marrëveshja e Paqes e Dejtonit ofron një model të ndryshëm, por sërish problematik. E ndërmjetësuar nga diplomati i ndjerë Richard Holbrooke në Dejton të shtetit Ohio në SHBA (një vend i zgjedhur për mungesën e jetës së natës dhe gati çdo gjëje tjetër interesante) në fundin e vitit 1995, seancat e negociatave u përpoqën t’i jepnin fund luftës në Bosnje-Hercegovinë duke krijuar një rend të ri kushtetues me projektimin e kujdesshëm të kufijve etnikë.

Secili nga lojtarët donte terren, por nuk donte që ai të banohej nga një grup tjetër etnik. Dhe kjo gjë çoi në një spastrim etnik nga të gjitha palët, me shkatërrimin nga ana e serbëve të komuniteteve myslimane boshnjake, që në fakt ishin disa nga mizoritë më të tmerrshme të para në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Fuqia e SHBA-së e mbështeti Marrëveshjen e Dejtonit, e treguar kjo në një mënyrë shumë konkrete nga avionët që ngriheshin nga baza e Forcave Ajrore Ëright-Patterson. Secila nga të tria palët e kuptoi se Shtetet e Bashkuara mund të merrnin masa shtrënguese, në rast se nuk do t’i pëlqente rezultati, edhe pse për secilën palë presioni ishte paksa i ndryshëm.

Në rast se do të bënin shumë rezistencë ndaj marrëveshjes, amerikanët mund t’i kërcënonin serbët (dhe në një masë më të vogël kroatët) me sulme ajrore, dhe boshnjakët (dhe në një masë më të vogël kroatët) me një pezullim të ndihmës. Pas rreth një muaji negociatash të tensionuara, udhëheqësit arritën një marrëveshje të tensionuar që në përgjithësi e ka ruajtur paqen në Bosnje për 27 vitet e fundit.

Teorikisht, modeli i Dejtonit mund të ofrojë një model për ta ndihmuar Rusinë dhe Ukrainën që të zgjidhin çështjet komplekse komunale dhe territoriale që lidhen me Donbasin dhe Luhanskun. Në praktikë, mekanizmat e Shteteve të Bashkuara (apo e ndonjë ndërmjetësi të palës së tretë) janë rreptësisht të kufizuar nga paaftësia për ta detyruar Rusinë të bëjë lëshime.

Për më tepër, Rusia dhe Ukraina duken indiferente ndaj konsideratave etnike që strukturuan preferencat për pjesëmarrësit në luftërat e ish-Jugosllavisë. Ideja që përfitimet territoriale ruse mund të negociohen, duket shumë e vështirë që të imagjinohet.

Çfarë pritet të ndodhë më tej?

Negociatat nuk janë magjike në vetvete. Ata kërkojnë një përgatitje shumë të kujdesshme, dhe mund të kenë sukses vetëm në rrethana themelore të favorshme. Shpeshherë negociatat që kanë sukses në zvogëlimin e një konflikti për një fare kohe, vetëm sa krijojnë terrenin për një konflikt më serioz pak më vonë.

Ata që thonë se Ukraina duhet të detyrohet nga aleatët që të hyjë në negociata me Rusinë, para se të vijë realisht koha e tyre, duhet që t’i japin më parë përgjigje pyetjeve të vështira në lidhje me strukturën dhe pritshmëritë nga këto bisedime.

Po ashtu duhet të kemi kujdesemi që t’i kushtëzojmë pritshmëritë në një mënyrë të tillë, që edhe rezultatet e suksesshme të negociatave të mund të arrihen shpejt. Negociatat e Dejtonit zgjatën një muaj, por ishin faza përfundimtare e një procesi që kishte filluar 3 vjet më parë. Procesi që çoi në Marrëveshjen e Paqes të Parisit, zgjati pothuajse 5 vjet, gjatë të cilave lufta vazhdoi të përshkallëzohej. Pra luftërat nuk përfundojnë vetëm duke i vendosur palët në të njëjtën dhomë, dhe duke i detyruar ato që të bisedojnë me njëra-tjetrën. /albeu.com

Shënim:Dr. Robert Farley lektor i çështjeve të sigurisë dhe diplomacisë në Shkollën Paterson, SHBA.


Shtuar 4.02.2023 11:08