Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur këtë të mërkurë në Malësi të Madhe, ku një person i paidentifikuar qëlloi me armë zjarri në drejtim të uniformave blu.
Përmes një postimi në “Facebook”, ministri Hoxha thotë se kjo është një kambanë alarmi e se duhet të gjenden mekanizmat për një kontroll sa më efikas të territorit, me qëllim parandalimin e këtyre ngjarjeve.
Ministri ka theksuar se do të mbështesë maksimalisht dhe pas asnjë hezitim të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, struktura që busull në punën e tyre kanë ligjin dhe vetëm ligjin, pavarësisht rrezikut dhe vështirësive.
“Do të jem krah çdo punonjësi të ndershëm për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në territor”, u shpreh ministri ndër të tjera.
Një person ende i paidentifkuar qëlloi ditën e sotme me armë në drejtim të policisë. Efektivët u qëlluan gjatë një aksioni për goditjen e një parcele droge në Repisht të Malësisë së Madhe. Fatmirësisht si pasojë e të shtënave nuk pati efektivë të plagosur.
Forcat speciale RENEA dhe FNSH u nisën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë deri më tani nuk është bërë i mundur identifikimi i autorit që qëlloi në drejtim të bluve.
Postimi i plotë i ministrit:
Të qarkullosh me armë zjarri në rrugë, qendra të banuara e kudo, për qëllime kriminale, siç ka ndodhur ditët e fundit apo edhe sot në Malësinë e Madhe, nuk është thjesht një këmbanë alarmi.
Kjo këmbanë na vendos përballë një detyre të madhe: Për të gjetur mekanizmat e menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit, për tê siguruar informacionin e duhur, me qëllim parandalimin.
E nga ana tjetër dhe po me kaq rëndësi, për të ndryshuar dhe reformuar organizatën e Policisë, nga qendra në bazë, në një shërbim model, pasqyrë e shoqërisë tonë, model që mund ta ofrojnë vetëm drejtues profesionistë dhe me integritet, dhe një organizatë e mirëstrukturuar dhe reaguese mëse e shpejtë.
Në detyrën e Ministrit të Brendshëm do të mbështes maksimalisht dhe pa asnjë hezitim të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, struktura që busull në punën e tyre kanë ligjin dhe vetëm ligjin, pavarësisht rrezikut dhe vështirësive, siç po përballet sot Policia e Shkodrës në luftën e saj kundër kultivimit të kanabisit apo Policia e Shtetit në përballjen e saj me krimin në çdo cep të vendit.
Do të jem krah çdo punonjësi të ndershëm për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në territor. Qytetarët dhe Shqipëria turistike duan një Polici efikase në çdo moment, për të garantuar jetën dhe pronën, për të siguruar një ambient të sigurt shoqëror dhe respektim të të drejtave e lirive themelore të tyre”, shkruan ministri.