Të gjithë sytë sot drejt Putinit, por çfarë mund të thotë ai

Nga BBC

Ka pasur spekulime se Presidenti Putin mund të përdorë rastin e Ditës së Fitores për të bërë një njoftim madhor, apo edhe për t’i shpallur luftë të gjithanshme Ukrainës, në krahasim me një “operacion special ushtarak”, por Kremlini e ka mohuar se ka plane të tilla.

Mund të shpallet diçka më pak se mobilizimi i plotë, si përgjigje ndaj humbjeve të mëdha të Rusisë në fushën e betejës. Dhjetëra reklama janë shfaqur në faqet e internetit të punës javët e fundit në kërkim të “specialistëve në punën e mobilizimit”, por një hap i tillë mund të godasë popullaritetin e presidentit dhe Dita e Fitores mund të mos jetë koha e duhur për ta shpallur atë, raporton albeu.com.

Pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, Putin shënoi Ditën e Fitores me një fjalim në Sheshin e Kuq për mposhtjen e fashizmit, përpara se të fluturonte në portin e Detit të Zi të Sevastopolit për të festuar fitoren e tij të re para mijëra shikuesve.

“Këtë vit objektivi kryesor ishte shpallja e fitores që supozohej të ndodhte në shkurt, kur filloi pushtimi rus i Ukrainës,” thotë Ernest Wyciszkiewicz i Qendrës për Dialogun dhe Mirëkuptimin Polako-Rus.

Në vend që të festojë përmbysjen e qeverisë së Ukrainës, Kremlini do të duhet të kënaqet me kapjen e pjesës më të madhe të Mariupolit. Qyteti jugor mund të jetë në gërmadha, por Rusia ka folur vazhdimisht për “denazifikimin dhe demilitarizimin” e Ukrainës dhe mund të pretendojë humbjen e batalionit Azov, të cilin e ka portretizuar në mënyrë të rreme si naziste.

Kjo do të rezononte në një ditë që shënon fitoren në Luftën e Dytë Botërore./albeu.com