Tabaku akuza Peleshit: Bllokuat heqjen e imunitetit të zv/kryeministres, nuk po bëni transparencë për negociatat, opozita është përjashtuar

Ditën e sotme (16 prill),  deputetja demokrate Jorida Tabaku, hodhi akuza nga salla e Parlamentit ndaj kryeparlamentarit Niko Peleshi dhe qeverisë, që mbajnë në errësirë shqiptarët mbi procesin e negociatave dhe integrimit në Bruksel.

Ajo denoncoi mungesën e transparencës mbi pozicionet negociuese në Bruksel dhe ecurinë e procesit, për të mësuar të gjithë qytetarët se kush është shkaku i bllokimit apo pengimit të integrimit në BE.

Të lidhura

None found

“Gjatë seancës së shkuar në Parlament patëm debat të gjatë për integrimin dhe që opozita është lënë jashtë procesit, e rëndësishme jo vetëm për opozitën por edhe shqiptarët. Besoja se qeveria do reflektonte dhe do sillte në parlament informacionin, në Serbi bëhet shpesh, procesi është transparent, por kjo këtu nuk ndodh. Shqiptarët nuk kanë informacion për detyrimet ndërmjetëse, ecurinë e procesit, periudhën kohore, absolutisht asnjë deputet i opozitës nuk është përfshirë në këtë proces”, tha Tabaku.

Më tej, ajo i kërkoi peleshit që në Parlament të jepeshin informacione shpjeguese se çfarë ndodhte në Bruksel, pasi opozita ishte lënë jashtë procesit.

“Kërkoj nga ju zoti kryeparlamentar që të ndiqnin procedurën dhe të njoftoni opozitën për gjithçka, kemi kërkuar në vijim pozicionet negociuese, ky proces nuk është teknik ku bëhen prezantime power point-i, ky proces është politik qytetarët duan ta dinë çfarë po negociohet në Bruksel, a ka pengesa atje, cilat detyrime nuk janë kryer nga qeveria, detyrimet dhe si po ecën ky proces”, tha ligjvënësja demokrate.

Gjithashtu, ajo akuzoi mazhorancën se ka bllokuar integrimin dhe një nga shkaqet ishte mosheqja e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

“Duhet ta dinë nëse projekti për portet e jahtet është pengesë për kapitujt e prokurimit publik, nëse bllokimi dhe mosvotimi i imunitetit të zv/kryeministres është bërë problematik ka qenë objekt diskutimi atje apo jo, këtë shqiptarët duhet ta dinë, ne duhet ta dimë. Ka qenë objektivi strategjik i Shqipërisë, nuk mund ta kaloni pa informacion. Përsëris kërkesën e opozitës për transparencë dhe informacion. Duhet patjetër gjithpërfshirje dhe këto tema t’i kemi në Parlament”.


Shtuar 16.04.2026 11:03

Tags: ,