Sulmi terrorist në Kosovë, Sveçla: Autorët u trajnuan dhe u financuan nga ushtria serbe

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se provat që i gjetën në veri nga sulmi terrorist i ka ndarë me ambasadat dhe agjencitë perëndimore.

Kosova ka akuzuar direkt Serbinë që qëndron prapa sulmit terrorist, por është duke u zhvilluar edhe hetimet që do ta vërtetojnë këtë.

“Ky grup ka ardhur nga Serbia, ata janë të trajnuar në Serbi, të financuar nga ata dhe gjithashtu të pajisur nga ushtria e Serbisë dhe policia e saj”, tha Sveçla për Guardian.

“Një pjesë e armëve janë marrë nga magazinat e ushtrisë dhe janë dorëzuar te terroristët që kanë ardhur në Kosovë nga Serbia”.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se shtetet anëtare janë duke pritur hetimet për të ardhur deri te një përfundim.

“Tash kemi një ndryshim të rëndësishëm të situatës, pas sulmeve terroriste të së dielës në Kosovë. Për ne është e rëndësishme që të zhvillohen dhe përmbyllen hetimet. Dhe kur të kemi pasqyrën e qartë nga hetimet, çfarë ndodhi, kush qëndron prapa kësaj dhe kush është përgjegjës, pasi kjo të jetë e qartë do të marrim vendimet e duhura”, tha Stano.

Sveçla tha se qëllimi përfundimtar i sulmit terrorist që la të vrarë policin Afrim Bunjaku ishte ndarja e vendit.

“Ajo që ata donin të bënin është të kapnin territorin e Kosovës dhe të hapnin një kanal të ri komunikimi, një rrugë të re nga Serbia në Kosovë”, tha ai.


Shtuar 28.09.2023 11:04