Sulmi ndaj Sali Berishës, Ambasada Britanike: I papranueshëm për fjalën e lirë

Ambasada britanike në Tiranë ka reaguar pas sulmit ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë protestës së sotme. Në reagim thuhet se akti është një sulm ndaj fjalës së lirë, mirëpo vihet re se Berishën, ata nuk e njohin as si kryetar të PD-së dhe as si deputet. Ata e cilësojnë këtë akt si të papranueshëm, duke shtuar se qëndrojnë në krah të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

POSTIMI:

Dhuna nuk ka vend në demokraci. Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë të drejtën për protesta paqësore. Sulmi ndaj Sali Berishës është një sulm i papranueshëm për fjalën e lirë. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria qëndrojnë krah me krah në mbështetjen tonë për demokraci dhe shtetin e se drejtës.

Kujtojmë se ditën e sotme Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi mesditën e sotme kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe aktualisht po merr mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.


Shtuar 6.12.2022 22:25