Kryeprokurori i Dibrës, Abaz Muça, po monitoron nga afër hetimet për sulmin e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Urakë të Matit, ku një automjet u qëllua me armë zjarri në oborrin e banesës së familjes Lleshi.
Të dhënat e para flasin për rreth 30 plumba automatikë të derdhur në drejtim të makinës. Banorët e zonës kanë rrëfyer jashtë kamerave se për disa minuta dëgjuan të shtëna të njëpasnjëshme, ndërsa situata shkaktoi frikë dhe askush nuk mori guximin të dilte nga shtëpia.
Të lidhura
None found
Pas sulmit, autorët dogjën një automjet në rrugën kryesore dhe u larguan duke kaluar përmes një ure druri që të çon drejt fshatit Rreth Baz. Në këtë zonë, ata mund të kenë ndërruar makinën për të shmangur kamerat e sigurisë dhe për ta bërë më të vështirë identifikimin e tyre.
Forcat e policisë kanë ngritur disa postoblloqe në akset kryesore dhe po verifikojnë pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë rrugës nacionale Burrel–Milot. Kontrolle dhe verifikime po zhvillohen gjithashtu në drejtimin Prosek–Rrëshen.
Ndërkohë, grupet hetimore vijojnë punën për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
