Sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, Policia e Kosvës arreston një serb

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar serb nga Mitrovica e Veriut për përfshirje në sulmin e 29 majit në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor mbi dyshimet se “i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj”.

Atë ditë, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka identifikuar të arrestuarin si Nenad O. Sipas tyre, arrestimi i tij është dëshmi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk dëshiron dialog apo paqe, por të dëshiron të arrestojë të gjithë serbët dhe të provokojë konflikte jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon”.

Më 31 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë të ditur se është vendosur masa e paraburgimit për një muaj për dy persona të arrestuar gjatë përleshjeve në Zveçan para dy ditëve.

Protestat në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në veri të Kosovë – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to./REL/


Shtuar 23.06.2023 11:37

Tags: , ,