Stuhitë e dëborës shkaktojnë viktima dhe shkatërrime në SHBA

Stuhitë e fuqishme që kanë goditur Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar tre viktima në Misisipi dhe shkatërruar çatitë e ndërtesave në një qytet të vogël të Oklahomës, vazhdojnë të përhapen drejt lindjes, duke shkaktuar paralajmërime për tornado në brigjet lindore të vendit.

Stuhitë e dëborës kanë përfshirë pjesën qendrore të perëndimit amerikan, ndërsa erërat e forta po përhapin zjarret në Teksas.

Parashikuesit e motit kanë paralajmëruar se një stuhi e ardhshme nga Paqësori, pritet të sjellë reshje shiu dhe dëbore në të gjithë Kaliforninë dhe pjesë të tjera të brigjeve perëndimore nga e mërkura deri të premten.

Paralajmërimet për tornado u lëshuan të mërkurën në Karolinat, Florida dhe Virxhinia, ndërkohë që autoritetet në qarkun Union të Karolinës së Veriut po vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga stuhitë, ndërsa ende nuk ka të lënduar.

Erërat e forta në Teksas dhe bimësia e thatë, kanë krijuar kushte të favorshme për shpërndarjen e zjarreve.

Sipas gjykatësit të qarkut San Patricio, David Kerbs, janë djegur 20 shtëpi dhe struktura në afërsi të qytetit Corpus Christi. Nuk janë raportuar të lënduar.

Nga ana tjetër, deri tani janë konfirmuar shtatë tornado në Teksas, Oklahoma dhe Luiziana, sipas të dhënave paraprake nga shërbimi i motit.

Stuhitë në brigjet lindore janë shtrirë nga Nju Jorku deri në Florida, duke shkaktuar dëme të mëdha.

Stuhitë gjatë natës në Nebraska sollën rreth 10 centimetra dëborë, ndërsa erërat arrinin shpejtësinë e 100 km/h.

Në Minesota janë regjistruar të paktën 70 aksidente automobilistike, ndërsa Garda Kombëtare është aktivizuar për të ndihmuar shoferët e bllokuar nga dëbora.

Policia në Ajova gjithashtu, ka raportuar të paktën 68 aksidente rrugore nga e marta deri të mërkurën, përfshirë një përplasje të dhunshme të makinave në autostradën I35 pranë qytetit Des Moines.

Përveç kësaj, stuhitë kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në Teksas, Tenesi dhe Alabama, ndërkohë që janë anuluar rreth 600 fluturime, sipas njoftimeve të fundit.


Shtuar 6.03.2025 10:09