Stuhia “Babet” shkakton 5 viktima në Angli

Stuhia Babet vijon të shkaktojë humbje jete dhe dëme materiale në Angli dhe Skoci. Stuhia, që e nisi akvitetin e saj të premten e javës së shkuar ka shkaktuar deri më tani pesë viktima, dëme materiale dhe sipërfaqe të mëdha toke të përmbytura. Por parashikimi meteorologjik parashikon ende alarm të kuq, pasi pritet të vijojnë rreshjet e dendura, çka shkakton shqetësim për përmbytje në ditët në vijim.

Autoritetet lëshuan sot paralajmërime të reja për përmbytje për rreth 100 zona, veçanërisht në qarqet Derbyshire dhe Nottinghamshire të Anglisë, ku disa lumenj janë ngritur në nivelet e tyre më të larta që nga viti 2007.

“Rreziku i përmbytjeve të mëtejshme mbetet deri të mërkurën”, paralajmërojnë ekspertët.

Policia e Skocisë njoftoi sot se një burrë është gjetur i vdekur në një makinë në zonën e Aberdeen. Kjo është viktima e tretë e motit të keq në Skoci, ndërsa dy persona të tjerë kanë vdekur në Angli. Mijëra njerëz panë shtëpitë e tyre të përmbytura dhe disa qindra mbeten të pastrehë.

Ministrja e Mjedisit Therese Coffey, gjatë vizitësnë Retford tha për Sky Neës se disa njerëz të pastrehë mund të presin me muaj para se të mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Fuqia e stuhisë Babet shkaktoi edhe një incident të premten në aeroportin e Yorkshire. Një avion me pasagjerë që vinte nga Greqia rrëshqiti për shkak të shirave të dendur. Fatmirësisht incidenti nuk shkaktoi asnjë viktimë apo të lënduar.


Shtuar 23.10.2023 23:33