Stresi nga puna u shkakton kompanive britanike miliarda euro humbje në vit

Stresi ose lodhja e lidhur me punën, shpesh të referuara si rraskapitje, i kushton ekonomisë britanike pothuajse 32 miliardë euro çdo vit. Dhe kjo për shkak se çon në 23.3 milionë ditë pushim mjekësor, sipas hulumtimit të publikuar dje.

Britanikët “kanë më shumë gjasa të kenë më shumë probleme të shëndetit mendor sesa qytetarët e çdo vendi tjetër” midis vendeve të mbuluara nga analiza. Në këtë përfundim kanë arritur autorët e hulumtimit të bërë në emër të kompanisë franceze të sigurimeve Axa dhe qendrës britanike për kërkime ekonomike CEBR.

Përfundimet e tyre bazohen në një sondazh të Ipsos me 30,000 njerëz të moshës 18 deri në 74 vjeç në 16 vende dhe territore anembanë botës. Sipas tyre, 21% e të rriturve britanikë përjetojnë stres emocional, një përqindje dukshëm më e lartë se ekuivalenti në SHBA, ku nuk i kalon 17%, dhe sigurisht shumë më i lartë se ai i Belgjikës, që është në 11%, Franca, e cila është 10%, e Kina gjithashtu 10% dhe shumë më pak e Zvicrës, ku është vetëm 9%.

Siç theksohet në njoftimin përkatës, “rreth gjysma e britanikëve aktualisht nuk janë në gjendje të mirëqenies mendore dhe janë në rrezik të rraskapitjes, gjë që po ndikon seriozisht në ekonominë dhe bizneset e Mbretërisë së Bashkuar”.

Sipas autorëve të hulumtimit, kriza e kostos së jetesës në Britaninë e Madhe duket se ka një ndikim veçanërisht negativ në stres dhe në përgjithësi në psikologjinë e punëtorëve. Arsyeja është e vetëkuptueshme, duke qenë se në Britani inflacioni u rrit në shkurt në 10.4% me bazë vjetore, duke kufizuar fuqinë blerëse të britanikëve.
Shifrat e CEBR tregojnë se stresi financiar dhe ankthet e punonjësve po i kushtojnë vetë bizneseve në Mbretërinë e Bashkuar deri në 6.2 miliardë paund pushim mjekësor dhe produktivitet të humbur.

Raporti, megjithatë, tregon shenja përmirësimi në Britani, “pasi stigma që lidhet me problemet e shëndetit mendor është zvogëluar” dhe ka një rritje të dukshme të numrit të njerëzve që janë, përkundrazi, “në një gjendje shumë të mirë mendore” që përfaqësojnë 23% të të anketuarve. /albeu.com


Shtuar 30.03.2023 15:41