Strategjia e rrezikshme SHBA-BE për të qetësuar Beogradin ekspansionist

Nga Jasmin Mujanovic “Al Jazeera
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Imazhet e nacionalistëve serbë që përdorin shkopinjtë dhe gurët kundër paqeruajtësve të NATO-s në qytetin verior të Kosovës, Zveçan, në fund të muajit maj, e vendosën vendin ballkanik sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Dhuna shpërtheu në veriun me shumicë serbe, pasi policia e Kosovës shoqëroi për të marrë detyrën e tyre kryetarët e komunave, të cilët ishin zgjedhur së fundmi në zgjedhjet lokale të bojkotuara nga serbët. Lajmi se Serbia kishte vendosur ushtrinë e saj në gatishmëri të lartë, bëri që shumë njerëz që nuk janë shumë të njohur me çështjet e Ballkanit, të pyesnin nëse në Evropë është gati të shpërthejë një tjetër konflikt i armatosur.

Përgjigja është jo: nuk jemi në prag të një lufte tjetër ballkanike. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se situata në Kosovë nuk është alarmante. Përveç dhunës, ajo që po ngre shqetësim në rajon është roli që kanë luajtur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në nxitjen e një faze të re të rrezikshme të militantizmit nacionalist serb në Kosovë por edhe në Ballkanin Perëndimor më gjerësisht.

Kosova e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, e mbështetur nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, e njohur edhe si Pesëshja (QUINT). Ky akt ndodhi pas gati një dekade të mbikëqyrjes ndërkombëtare nën Administratën e Përkohshme të OKB-së, e cila u krijua në fund të Luftës së Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe të përkohshme, Kosova mbeti nominalisht pjesë e Republikës Federale të atëhershme të Jugosllavisë si një “krahinë autonome”, por Beogradi nuk ushtroi asnjë autoritet mbi asnjë aspekt të qeverisjes së territorit, me përjashtim të një pranie të kufizuar në një pjesë të vogël të komunave me shumicë serbe në veri.

Ndërkohë, është fakt që Kosova kishte pasur një shkallë të konsiderueshme të vetëqeverisjes gjatë periudhës së qeverisjes komuniste, megjithëse shumica e saj etnike shqiptare ishte një objektiv i shpeshtë i represionit.

Në vitin 1989, kur Slobodan Milosevic mori pushtetin në Beograd, ai vendosi një regjim të ri kushtetues në Kosovë dhe e ktheu rajonin në një shtet të vërtetë policor, ku shqiptarët etnikë u zhveshën nga pothuajse të gjitha liritë civile. Kjo qasje e ashpër solli rezistencën e armatosur të komunitetit shqiptar dhe në fund ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.

Gjatë 15 viteve të fundit, SHBA dhe BE janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje normalizimi midis Prishtinës dhe Beogradit. Pavarësisht bisedimeve të njëpasnjëshme të nivelit të lartë, të dyja palët mbeten ende larg njëra-tjetrës. Por këtu nuk bëhet fjalë për një fajësi të barabartë.

Problemi mbetet thuajse tërësisht në palën serbe. Regjimi gjithnjë e më autokratik i presidentit serb Aleksandar Vucic është kategorik në refuzimin e tij për të pranuar sovranitetin e Kosovës. Në raundin e fundit të bisedimeve të mbajtura në Ohër të Maqedonisë së Veriut në mars, Vucic refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e supozuar për të cilën kishte “rënë dakord”.

Në një fjalim disa ditë më vonë ai deklaroi para qytetarëve serbë se nuk donte “të bënte një marrëveshje ligjore ndërkombëtare me Republikën e Kosovës”. Në mediat e lidhura me regjimin në Serbi, komuniteti etnik shqiptar, që përbën 92 për qind të popullsisë së Kosovës, përmendet vazhdimisht me sharje mbi baza etnike.

Ndërkohë qeveria në Prishtinë cilësohet si një autoritetet lokal “i përkohshme”. Ndërsa në veriun e Kosovës me shumicë serbe, Beogradi ruan një lloj pushteti klandestin, të administruar përmes një rrjeti ultra-nacionalistësh dhe gangsterësh vendas, siç e ka detajuar kohët e fundit edhe gazeta amerikane “The New York Times”.

Por qëndrimi reaksionar i Serbisë nuk kufizohet vetëm në Kosovë. Udhëheqja serbe dhe segmente të mëdha të publikut serb, që janë ushqyer prej më shumë se 3 dekadash me propagandën revizioniste, jetojnë në botën e tyre. As Beogradi dhe as një pjesë e madhe e publikut serb nuk e pranojnë që regjimi i Milosevic – në kabinetin e fundit të të cilit Vucic mbante postin e Ministrit të Informacionit – ishte arkitekti kryesor i shpërbërjes së Jugosllavisë apo i dekadës së mëvonshme të konfliktit që përfshiu rajonin.

Ata pretendojnë në mënyrë të rreme se Serbia nuk ka zhvilluar luftëra agresioni kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës ndërmjet viteve 1991-1999. Po ashtu thonë se Serbia nuk ka orkestruar një fushatë sistematike, gjenocidale të shfarosjes, terrorit dhe dëbimit kundër popullsisë jo-serbe të Bosnjës ndërmjet viteve 1992-1995.

Në fakt, dhuna gjenocidale e drejtuar kundër boshnjakëve nga Milosevic dhe përfaqësuesit e tij serbë në Bosnje, ishte aq e rëndë saqë afro gjysma e të gjitha viktimave gjatë Luftërave Jugosllave ishin boshnjakë etnikë. Dhe Bosnja e pasluftës ka mbetur e përçarë nga mosfunksionimi dhe grindjet për shkak të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të ndërmjetësuar nga SHBA dhe shkallës ekstreme të autonomisë që u është dhënë elementëve shovinistë etnikë sipas kushtetutës së re të vendit.

Pas fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, dikush do të mendonte se do të kishte pasoja të rënda politike dhe diplomatike për Serbinë dhe përfaqësuesit e saj për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Kremlinin dhe makinacioneve të tyre ekspansioniste në Ballkanin Perëndimor.

Në fakt ka ndodhur pikërisht e kundërta. Për shembull, në rastin e përleshjeve ndërmjet nacionalistëve serbë dhe paqeruajtësve të NATO-s në Zveçan, QUINT-i dënoi për ngjarjen kryeministrin e vendit, Albin Kurti, që kishte dërguar policinë për të shoqëruar kryetarët e sapozgjedhur të komunave në zyrat e tyre në veri.

Po ashtu SHBA-ja e e përjashtoi Kosovën nga stërvitja ushtarake “Defender 23” e udhëhequr nga NATO dhe i kërcënuan me sanksione zyrtarët vendas. Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Jeffrey Hovenier theksoi se vendi i tij nuk do ta ndihmojë më Kosovën në kërkimin e njohjes ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Serbia dhe Vucic nuk patën asnjë pasojë. As Milorad Dodik i Republika Srpska nuk është përballur me pasoja për takimet e rregullta që ka pasur me ​​presidentin rus Vladimir Putin, të cilin zyrtarët amerikanë dhe evropianë e kanë quajtur vazhdimisht një “kriminel lufte”.

Madje Republika Spska vazhdon të marrë fonde nga BE për projekte të ndryshme zhvillimore, dhe ndonëse Dodik është nën sanksionet e SHBA dhe Britanisë së Madhe, ai vazhdon të lobojë hapur mbi zyrtarët e SHBA-së në Uashington.

Në Bosnje, ashtu si në Kosovë, SHBA dhe BE duken të pa interesuara për të frenuar ndikimin rus. Në vend të kësaj, ata kanë kërkuar të zbutin marrëdhëniet me nacionalistët militantë të mbështetur nga Moska. Pse? Sepse Perëndimi ka arritur në përfundimin se nuk ia vlen të harxhohet kohë dhe përpjekje për t’u përballur me njerëz si Vucic apo Dodik në një rajon aq periferik ndaj interesave të tij siç është Ballkani Perëndimor.

SHBA dhe BE kanë zgjedhur një qasje të butë ndaj nacionalistëve militantë, duke shpenzuar kapital politik dhe diplomatik për t’i ndihmuar ata të arrijnë qëllimet e tyre me shpresën kalimtare se kjo do t’i qetësojë ata. Natyrisht, rezultati ka qenë vetëm një formë më e guximshme e ekstremizmit nacionalist në Ballkan, pjesa më e madhe e sponsorizuar nga Perëndimi.

Gjërat kanë të ngjarë të mbetet kështu derisa publiku vendas, përfshirë diasporën boshnjake dhe kosovare në Perëndim, dhe aleatët e tyre, të kenë mundësi të dëshmojnë në mënyrë efektive arsyen pse marrëdhëniet me dy standarte të Perëndimit në Ballkan janë të rrezikshme për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës. Deri atëherë, Beogradi ka të ngjarë të vazhdojë të nxisë kaos, duke e ditur se Uashingtoni dhe Brukseli do ta kthejnë kokën nga ana tjetër. /albeu.com


Shtuar 13.06.2023 18:31