Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka folur sot për situatën në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se kohëve të fundit disa faktorë të jashtëm janë duke vepruar me qëllim të rrezikimit të progresit që është arritur në rajon, sidomos në Bosnje e Kosovë, shkruan N1, transmeton Gazeta Express.
Këto deklarata Stoltenberg i ka bërë në një konferencë për media pas takimit me shefin e diplomacisë lituaneze, duke shtuar se shtetet anëtare janë pajtuar për rëndësinë e pranisë në Ballkanin Perëndimor.
“Në sesionin final, neve na u bashkuan edhe partnerët nga Finlanda, Suedia, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell. Kemi diskutuar për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Stolenberg.
Ai ka thënë se kohëve të fundit janë rritur tensionet, përfshirë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
“Me shumë retorikë agresive, reforma të stopuara, dhe me faktor të jashtëm që po punojnë në rrezikimin e progresit”, ka potencuar Stoltenberg.
Ai tha se NATO do të vazhdojë të promovojë stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon dhe se vendet anëtare “ranë dakord për rëndësinë” për praninë e Aleancës.
“Përfshi edhe misionin tonë të KFOR-it në Kosovë. Dhe zyrat tona në Sarajevë dhe në Beograd”, ka shtuar tutje Stoltenberg, duke theksuar se bashkëpunimi i NATO-s me Bashkimin Evropian mbetet “thelbësor”./GazetaExpress/