Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, NATO, Jens Stoltenberg tha se ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të ulin tensionet në veri të Kosovës.
Ai po ashtu u bëri thirrje palëve që t’i kthehen dialogut.
“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar në Twitter, Stoltenberg.
Për të shtatën ditë me radhë, dy rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak mbeten të bllokuara, për shkak të kundërshtimeve të serbëve lokalë lidhur me masën e reciprocitetit për targat.
Që prej 20 shtatorit, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të largojnë targat dhe të përdorin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.
Më 25 shtator u shënuan dy incidente në veri të Kosovës, për të cilat Prishtina e akuzoi Serbinë. Autoritetet njoftuan se është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan./REL