Ish-ministëri Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në seancën e radhës për çështjen “Sterilizimi”, ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme njohjen si provë të një vendimi të vitit 2017 për pushimin e procedimit penal ndaj tij nga Prokuroria e Tiranës, të cilin ai e cilëson si provë pafajësie.
Beqaj deklaroi se vendimi nuk iu vu në dispozicion nga SPAK, ndonëse e kishte kërkuar disa herë, por më pas e siguroi përmes Kuvendit, ku dokumenti ishte dërguar si pjesë e materialeve për komisionin hetimor.
“Prokuroria ka për detyrë ligjore të shqyrtojë çdo provë, si ato që mbështesin akuzën, ashtu edhe ato që vërtetojnë pafajësinë. Ky vendim duhet të merret në shqyrtim nga gjykata”, tha Beqaj para trupës gjykuese të kryesuar nga Bib Ndreca.
Ndërkohë, SPAK ka kërkuar kalimin për gjykim të çështjes duke theksuar akuzat për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “pjesëmarrje në grup kriminal” për Beqajn, Klodian Rrjepajn dhe Ilir Rrapajn.
Prokurori Edvin Kondili, deklaroi se ndjekësit e çështjes janë në përputhje me vendimin e mëparshëm të gjyqtarit të seancës paraprake.
Avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj, shprehu paqartësi për natyrën e saktë të akuzës:
“Verbalisht flitet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup kriminal, por në dokumente flitet vetëm për shpërdorim detyre. Pa një formulim të qartë, nuk mund të përgatitemi për mbrojtje”.
Beqaj shtoi: “Në çdo fazë na janë vendosur akuza dhe nene të ndryshme. Nuk mund të mbrohem kur nuk më është paraqitur një akuzë e shkruar e qartë”.