Statistikat/ Gjysma e familjeve në Shqipëri janë me persona mbi 60-vjeç

Në gjysmën e familjeve në Shqipëri, banojnë persona që janë mbi 60-vjeç tregojnë të dhënat paraprake të detajuara të Cens 2023.

Në të gjithë vendin u numëruan 755,950 njësi familjare, ku 49% e tyre dominohen nga persona në moshë pensioni.

Të dhëna më të detajuara, tregojnë se 195 mijë familje kishin persona të grup-moshës 60-69-vjeç, të cilët përbëjnë 26 për qind të totalit të njësive familjare dhe është grupi dominues.

122,249 familje kishin persona të moshës 70-79-vjeç dhe përbënin 16 për qind të totalet të familjeve.

53 mijë familje kishin persona mbi 80-vjeç dhe këto përbenin 7% të totalit të njësive familjare.

Në të kundërt, familjet me grup-moshat më të reja janë shumë të pakët. P.sh ka vetëm 30 mijë familje në grup-moshën 20-29-vjeç, që përben vetëm 4 për qind të totalit të familjeve.

Vetëm 80 mijë familje kanë në përbërje të tyre grup-moshën 30-39-vjeç ose 10.6 për qind të totalit.

Siç shihet nga të dhënat e njësive familjare sipas grup-moshave, vihet re rritje e numrit të tyre që kanë përbërje persona mbi 50-vjeç.

Struktura e familjeve shqiptare, tregon se fenomeni i plakjes ka përparuar më shpejt se sa në treguesit zyrtar. Të dhënat e Censit 2023, tregojnë se mosha mesatare e popullsisë arriti 42.5 vite, duke u rritur me 7 vjet nga viti 2011, ku ky tregues ishte 35.5 vjet.

Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit ndërkombëtar dhe të brendshëm sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, në Censin e 2023.

Piramida e popullsisë bazuar në Censin e 2023, vjen e ngushtuar shumë poshtë për shkak të rënies së lindjeve dhe po zgjerohet në mes dhe lart nga rritja e popullsisë në moshë të vjetër.

Të dhënat tregojnë se një në pesë individë (19,7%) janë 65-vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3%) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5% në Censin e 2001.

Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0% nga 30,4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4% nga 16,7% në 2011.

Normat e ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë./Monitor


Shtuar 6.09.2024 13:08