Sporti në dorë të shtetit, Kuvendi miraton propozimin e Fidel Yllit, PD kundër: Ndërhyrje politike

Parlamenti miratoi sot disa ndryshime në ligjin “Për Sportin”, një projektligj i propozuar nga kreu i KOKSH-it, Fidel Ylli, që ka ngjallur reagime të forta nga aktorë të opozitës dhe drejtues të federatave sportive.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cilësoi projektligjin si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të shtetit në funksionimin dhe financimin e strukturave sportive në vend, duke përfshirë edhe fondacionet dhe federatat sportive.

“Ky ligj thellon ndërhyrjen e shtetit në organizmin e sportit, në kundërshtim me parimet themelore të Kartës Olimpike. Shteti nuk mund të kontrollojë çdo organizim sportiv,” tha Zhupa nga foltorja e Kuvendit.

Ajo theksoi se ligji është hartuar nga Fidel Ylli, ndërsa i atribuon KOKSH-it rol zyrtar në organizimin e aktiviteteve jashtë procesit mësimor, gjë që, sipas saj, cënon kompetencat e federatave shkollore e universitare. Zhupa ngriti gjithashtu shqetësime për financimet publike, të cilat sipas saj, nuk kanë transparencë dhe krijojnë avantazhe të padrejta për strukturat e afërta me qeverinë.

“Financimet do të ndahen pa kritere të qarta, duke favorizuar organizatat që janë zgjatim i interesave shtetërore. Vetë Fidel Ylli ka pranuar publikisht se ai është autori i këtij ligji”, – shtoi ajo.

Ndryshimet e miratuara u kundërshtuan edhe nga kreu i FSHF-së, Armand Duka. Në Asamblenë e FSHF-së, përballë ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Duka kërkoi që projektligji të tërhiqet dhe të rishikohet përmes dialogut me të gjitha federatat.

“Propozimet e fundit synojnë krijimin e një arbitrazhi sportiv klientelist, të varur dhe jo profesional. Ligji është hartuar pa konsultime me aktorët e sportit dhe me kundërshtime të qarta nga ekspertët tanë. U bëj thirrje institucioneve për reflektim”, tha Duka.


Shtuar 26.06.2025 20:45