Spiunazh dhe sabotime:Ja si Rusia po e paralizon OSBE-në, duke e çuar në pragun e shpërbërjes

Nga Christoph Schult “Der Spiegel

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kërcënimi as që u fsheh, ai ishte i drejtpërdrejtë. Diplomati nga Moska paralajmëroi se krahu i gjatë i Rusisë mund të arrijë kudo. “Cilido mund të kapet kudo që ndodhet, përfshirë diplomatë nga vende të tjera”. Fjalët e tij të ashpra iu drejtuan një homologu nga Lituania.

Në një takim të marsit 2022 të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), një organizatë që synon paqen, përfaqësuesi lituanez kishte guxuar të kritikonte luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, duke tërhequr kështu zemërimin e kolegut të tij rus.

Në fund, delegati rus kërcënoi se do ta padisë kolegun e tij diplomat në Rusi, ku kritika ndaj luftës mund të dënohet deri në 15 vjet burg.

Ai debat verbal është vetëm një nga episodet e shumta të këtij lloji që po tronditin aktualisht OSBE-në. Asgjë nuk ka qenë e njëjtë për këtë organizatë që kur anëtarja e saj  themeltare, Rusia, pushtoi Ukrainën në shkurt 2022. Ambasadori i Ukrainës në OSBE, Yevhenii Tsymbaliuk, e quan këtë ngërç një “krizë ekzistenciale të krijuar nga Rusia”.

Dhe e gjithë organizata është në prag të shpërbërjes. Puna e OSBE-së bazohet tek konsensusi, por Rusia po refuzon gjithnjë e më shumë të luajë sipas rregullave të lojës. Ndërkohë, tek disa vende anëtare po rritet frika për infiltrimin e mundshëm nga agjentët dhe diplomatë rusë. Shërbimet sekrete perëndimore, pretendojnë se Rusia përdor shpesh organizatat ndërkombëtare si mbulesë për agjentët e saj të shërbimit sekret. Zyrtarisht, burrat dhe gratë i përkasin delegacioneve ruse, por në fakt ata janë spiunë.

OSBE aktualisht ka 57 vende anëtare, përfshirë të gjithë vendet e Bashkimin Evropian dhe të gjitha shtetet pasardhëse të Bashkimit Sovjetik, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë. Misioni i këtij organi është “parandalimi i konflikteve” dhe “menaxhimi i krizës”. Por çfarë do të thotë kjo kur një shtet anëtar ka pushtuar një tjetër? Selia e OSBE-së ndodhet në Vjenë. Administrata udhëhiqet nga një Sekretariat i Përgjithshëm. Po ashtu ajo ka gjithashtu një Asamble Parlamentare me stafin e vet. Por shumica e më shumë se 3.500 punonjësve të organizatës punojnë në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore.

Ata trajnojnë nëpunës civilë, vëzhgojnë zgjedhjet dhe mbështesin negociatat e paqes. Që kur Rusia e pushtoi Krimenë në vitin 2014, më shumë se 1000 vëzhgues të OSBE-së u vendosën në Ukrainë. Misionet e tyre në vend përfshinin monitorimin e respektimit të armëpushimit dhe organizimin e shkëmbimit të të burgosurve.

Por misioni përfundoi papritur në vitin 2022, kur mandati skadoi vetëm disa javë pas pushtimit rus të Ukrainës. Rusia kundërshtoi vazhdimin e tij, dhe që nga ajo kohë diplomatët rusë kanë bllokuar disa vendime të OSBE-së, përfshirë votimin se kush do

ta drejtojë organizatën duke filluar nga viti 2024.

Në të shkuarën, OSBE-ja drejtohej çdo vit nga një shtet anëtar. Vitin e kaluar presidencën e kishte Polonia. Këtë vit është radha e Maqedonisë së Veriut. Estonia ka aplikuar për presidencën e 2024-ës, por Rusia ka refuzuar të japë miratimin e saj. Në Gjermani, Ministria e Jashtme e ka akuzuar Rusinë për tradhti ndaj parimit të konsensusit të OSBE-së. Po ashtu Moska ka pezulluar pagesat e saj vjetore për organizatën. Sipas burimeve të “DER SPIEGEL”, totali i detyrimeve të papaguara arrin në më shumë se 10 milionë euro. Delegacioni rus i OSBE-së refuzoi që të komentonte mbi këtë çështje. Deri më tani, punonjësit rusë në OSBE kanë mbetur të paprekur. Por disa vende anëtare identifikuan pak kohë më parë personelin rus që ata e konsiderojnë të dyshimtë. Për shembull, gruaja e zëvendësministrit të jashtëm të Rusisë – një zyrtar që ndan përgjegjësinë për pushtimin e Ukrainës – ishte ende duke punuar për OSBE-në edhe disa muaj pas fillimit të pushtimit. Po sipas burimeve të “Der Spiegel”, një përkthyes që bëri bujë më media pse sulmonte Donald Trump, vazhdon punën, ashtu si edhe dikush tjetër që disa nga ekspertë sigurie e identifikuan kohë më parë si një agjent të shërbimeve sekrete.

A po bie OSBE-ja viktimë e luftës në Ukrainë? “OSBE duhet të mësojë të jetojë pa Rusinë ose do të shpërbëhet së bashku me Rusinë”- tha Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. Qeveria e tij ka bërë vazhdimisht thirrje për përjashtimin e përkohshëm të Rusisë nga organizata.

Dhe në fakt një veprim i tillë nuk do të ishte i paprecedentë. Në vitin 1992, organizata e dëboi përkohësisht Republikën e Jugosllavisë për disa vjet. Megjithatë, disa theksojnë se organizata mund të sigurojë një vend ndërmjetësimi sapo të rreshtin luftimet në Ukrainë.

Kritikët pohojnë se Rusia e ka vështirësuar që në fillim punën për stafin e OSBE-së në Ukrainë.

Gjatë pushtimit të Ukrainës nga trupat e Putinit, autoritetet në Rusi sekuestruan më shumë se 70 automjete të OSBE-së me vlerë gati 3 milionë euro. OSBE shpenzoi muaj të tërë në përpjekje për të rimarrë automjetet nëpërmjet Turqisë, dhe zyrtarët e saj i dërguan Moskës 8 nota verbale.

Edhe stafi i OSBE-së gjithashtu u takua disa herë me diplomatë rusë për të diskutuar këtë çështje, por më kot. Në një letër të janarit 2023 drejtuar OSBE-së, në formën e

një përgjigje për televizionin publik gjerman ZDF dhe gazetën austriake “Der Standard”, diplomatët rusë deklaruan se automjetet ishin dërguar “në territorin e Republikës së Donestkut dhe Republikës së Luhanskut” pra në territorin ukrainas të pushtuar ilegalisht.

Sipas tyre automjetet ishin sekuestruar si “provë” në çështjet penale kundër disa anëtarëve të stafit të OSBE-së, që Rusia i ka akuzuar për përfshirje në “drejtimin e zjarrit” në Donetsk dhe Luhansk. Vëzhguesit i kanë përshkruar këto raste si “gjyqe farsë”.

Diplomatët rusë brenda OSBE-së janë një rrezik i qartë për sigurinë, thotë ambasadori amerikan në këtë organizatë Michael Carpenter. “Ata përfaqësojnë një shtet shumë agresiv, që është i përfshirë në një luftë dhe që shkel çdo parim të mundshëm të sistemit të bazuar në rregulla ndërkombëtare”- thotë ai. /albeu.com

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 4.09.2023 12:57

Tags: