SPAK trondit botën e krimit, zbulon lidhjet “e errëta” me politikën! Si Durim Bami dhe “Klani Duka” bashkëpunuan për të eliminuar Martinajn

SPAK ka tronditur botën e errët të krimit të organizuar në Shqipëri.

Një megaoperacion i nisur prej orëve të para të mëngjesit trë djeshmëm, 17 maj, i cili zgjati 20 orë, çoi në arrestimin e 20 personave, nga 50 urdhër arreste të lëshuara, shkruan Albeu.com.

Ky megaoperacion ka nxjerrë në dritë planet e emrave më të mëdhenj të krimit për të eleminuar njëri-tjetrin por edhe lidhjet e tyre me politikën.

Nga dosja e SPAK, rezulton se disa prej grupeve më famëkeqe në Shqipëri kishin lidhur aleanca të forta mes tyre për të eliminuar fizikisht Ervis Martinajn e njohur si “Mbreti” i Lojërave të Fatit, prej të cilit nuk ka më asnjë informacion që prej 8 gushtit të vitit 2022.

Në dosje thuhet se Martinaj ka qenë objektivi kryesor i disa grupeve kriminale, të cilët duke njohur forcën, reputacionin dhe lidhjet e tij të forta bashkëpunonin me njëra-tjetrën për ta eliminuar atë fizikisht.

Durim Bami i njohur si i “Forti” i Niklës lidhi aleancë me “Klanin” Duka të drejtuar nga vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, për të eliminuar ish-bosin e lojërave të fatit.

Grupi i Fushë-Krujës me në krye Durim Bamin, me ndihmën e klanit Duka dhe Fatmir Hysenit nga Vlora ka dashur të eliminojë përveç Martinajt edhe ish-deputetin e Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Arben Ndoka.

Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit E.M., dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni., persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.

Në krahun tjetër nuk ka qëndruar pa vepruar as Martinaj, i cili sipas SPAK kishte lidhur aleancë me grupin kriminal me bazë në Lezhë, që drejtohej nga Arben Ndoka dhe në bashkëpunim edhe me Avdylajt në Shijak si dhe me grupin e Emiljano Shullazit pasi synonin të ekzekutonin Durim Bamin dhe Fatmir Hysenin, pasi ai akuzohej për vrasjen e krahut të djathtë të ish-bosit të lojërave të fatit, Santiago Malko.

Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj, kontakton shtetasin V.I., i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit F.H. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit E.Sh. dhe A.A., të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka., në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bami. etj. E.SH. kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e D.B. Po kështu E.SH., siguron informacione për lëvizjet e D. B. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit A.N.

Nga miq në armiq, si nisi rivaliteti mes Ervis Martnijat dhe “Klanit Duka”

“Klani Duka” është një ndër grupet që ka qenë aktiv në vrasjen e shokëve të Ervis Martinajt dhe hartimin e planit edhe për ekzekutimin e tij duke ndjekur lëvizjet brenda dhe jashtë vendit përmes rekrutimit të personave që kanë dijeni në agjenci turistike si edhe Policinë e Shtetit.

Leonard dhe Erlis Duka kishin ngritur “perandorinë” e tyre që operonte kryesisht në zonën veri-lindore të Tiranës, por gjithçka ndryshoi në raportet e tyre me grupin e Martinajt. Ky i fundit mori peng dhe dhunoi fizikisht babanë e tyre për shkak të rivalitetit mes tyre në tregun e lojërave të fatit.

Vëllezërit Duka nuk ia falën këtë Martinajt dhe filluan vrasjen e personave pranë tij. Ekzekutimi më i famshëm ishte ai i policit Santiago Malko në rrugën “Xhanfize Keko” në gusht të vitit 2019 në Tiranë. Malko ishte një ndër personat më të afërt të Martinajt, me të cilin nisi edhe saga e ekzekutimeve ndaj njerëzve të “bosit të lojërave të fatit”.

Dukajt thuhet se ishin betuar deri në elemiminin e ushtarit të fundit të Martinajt dhe vetë kundërshtarit të tyre më të madh. Për ata që e njohin, e dinë se Leonard Duka vetëquhet tek miqtë e tij si “Princi Damian”, një nofkë e cila sipas tij reflekton luksin dhe jetën që Duka.

Duket se këto të fundit, ku në lojë janë qindra milion euro në vit si edhe hakmarrja e vëllezërve Duka janë ato që sollën vrasjet e vazhdueshme të njerëzve të Ervis Martinajt duke çuar së fundmi edhe në zhdukjen e tij. Policia nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi fatin e Martinajt edhe pse ëshët zhdukur që në gusht të vitit 2022, por dyshohet se ai është kapur nga kundërshtarët e pajisur me shumë para dhe një skuadër vdekjeje në dispozicion duke u nxjerrë tërësisht nga loja.

Saga e vrasjeve

I pari nga grupi i Martinajt u vra Santiago Malko. Këtë të fundit, SPAK thotë se e qëlloi vlonjati Fatmir Hyseni, i njohur si “Doqja”. Por vrasja e Malkos, do të ishte vetëm fillimi i fundit të pandalshëm të eleminimit të grupit të Ervis Martinaj.

Një tjetër vrasje brenda radhëve të grupit të Martinaj, që do të shënjonte sinjalin se ditët e arta të një perandorie kishin nisur perëndimin e tyre. Më 30 maj 2020, një tjetër atentat, këtë herë brenda një hoteli, në aksin Mamurras-Lezhë, do t’i merrte jetën biznesmenit Bujar Lika dhe mikut të tij, Paulin Gjergji.

Lika, ishte mik i ngushtë me Ervis Martinaj. Atentat që shpejt do të pasohej nga i radhës. Dhe që do të trondiste edhe njëherë fuqishëm grupin e Martinajt. Viktimat këtë herë brenda këtij grupi, do të ishin Erigers Mihasi dhe miku i tij Armand Dumani.

Ata u ekzekutuan barbarisht më 13 nëntor 2021, në Tiranë, në zonën e Unazës së Re, brenda makinës së tyre. Eleminim i ushtarëve të Martinaj që do të kryhej publikisht, në sytë e dhjetra pasagjerëve që sapo zbrisnin nga urbani i linjës së Tiranës së Re.

Por teksa viti kalendarik dukej se do të mbyllej pa humbje të tjera në radhët e grupit të Martinaj, një tjetër viktimë brenda këtij grupi do të përmbyllte ciklin vjetor të hakmarrjes së egër që tashmë ishte e dukshme.

Can Karriqi, edhe ky një ushtar i Ervis Martinaj. I cili u ekzekutua më 23 dhjetor 2021, në Kamëz, brenda një makine. Dyshimet për këto krime ranë mbi Klanin Duka. Por duket se Martinaj, nuk kishte llogari të hapura vetëm me këtë Klan. Por edhe me të tjerë grupe apo familje, me të cilat tashmë i ndante gjaku.

Më i fundit i eliminuar nga grupi i Martinajt ishte Brilant Martinaj në korrik të vitit 2022 në Fushë Krujë. Ervis Martinaj ishte i pranishëm në funeralin e kushëririt të tij të parë, për tu zhdukur më pas pa gjurmë vetëm dy javë pas ekzekutimit të tij./albeu.com


Shtuar 18.05.2024 17:12