Mbyllja e zgjedhjeve lokale duket se ka qenë edhe sinjali për rifillimin e opearacioneve për arrestimet VIP nga SPAK. Pak ditë më parë u arrestua Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, ndërsa sëfundmi ka shkuar pas hekurave edhe Vangjush Dako.
Edhe pse akuzat janë tepër përiferike krahasuar me atë që pret opinioni publik ndaj Dakos, arrestimi i këtij të fundit është vërtetë kapja e një “peshku të madh”.
Por, duket se asgjë nuk është e rastësishme dhe duket se vera do të jetë e “nxehtë” dhe “shpata” e SPAK do të presë majtas dhe djathtas.
Jo më kot, personazhe publik pranë qeverisë janë duke përsëritur të njëjtin refren në daljet e tyre në studio duke theksuar se Dako nuk është i vetmi dhe se pritet që të arrestohen edhe të tjerë.
Dy netë më parë, gazetari Baton Haxhiu konfirmoi pikërisht këtë duke theksuar se “të gjithë ata që kanë dosje në SPAK duhet të vishen trashë pasi do të ketë arrestime të tjera VIP”.
“Shqipëria po hyn në fazën kur paprekshmëria e ka prekur fundin. Dhe sipas asaj që unë kam informacion, nuk janë të paktë, nuk do mbetet më askush i paprekur dhe do të pësojnë fatin e zotit Dako shumica e atyre që kanë dosje penale në SPAK”, tha Baton Haxhiu.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Brizida Gjikondi, e cila në një dalje në ABC tha se priten arrestime të tjera VIP majtas dhe djathtas.
“Besoj se do do të vijojë dhe SPAK do të mbajë një balancë politike majtas dhe djathtas”, tha ajo duke paralajmëruar tashmë arrestime edhe në opozitë.
Duket se mesazhet e hedhura sëfundmi për arrestme VIP nuk janë të rastësishme dhe duket se kemi hyrë në një stinë ku emra të tjerë do të shkojnë pas hekurave dhe gjasat janë që do të jetë SPAK ai që do të heqë nga skena politike personazhe që nuk mundet të hiqen me votë.
Biseda Baton Haxhiu-Blendi Fevziu në Opinion:
Baton Haxhiu: Shqipëria po hyn në fazën kur paprekshmëria e ka prekur fundin. Dhe sipas asaj që unë kam informacion, nuk janë të paktë, nuk do mbetet më askush i paprekur dhe do të pësojnë fatin e zotit Dako shumica e atyre që kanë dosje penale në SPAK.
Blendi Fevziu: Si, si? Njerëz të rëndësishëm politikë po flasim?
Baton Haxhiu: Ata të kaluar dhe këta të tashëm! Nuk janë pak, ma besoni. Dako është model më shumë i një jehone ose presioni publik që vjen nga Prokuroria dhe Gjykata, që vjen dhe nga publiku dhe realisht është një lloj modeli i “këputjes së qafës”.
Blendi Fevziu: Pra, ti paralajmëron stinë të nxehtë nga vjeshta?
Baton Haxhiu: Jo e nxehtë, por nuk do të ndalet!
Blendi Fevziu: Stinë përvëluese? Me zyrtarë të lartë?
Baton Haxhiu: Ma beso, nuk do të ndalet!
Blendi Fevziu: Cila është dera e fundit?
Baton Haxhiu: Unë jam aq i përgjegjshëm sa mos të flas me emra.
Artan Hoxha: Heqim Ramën, të tjerët…të vishen trashë! /AlbEu.com