SPAK kërkon 2 vite burg për Adriatik Llallën

Prokuroria e Posaçme kërkon 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Gjithashtu SPAK ka kërkuar edhe përjashtimin me 5 vite të Adriatik Llallës nga shërbimet publike.

Të enjten e kaluar Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen Llalla. Ndërsa gjatë seancës paraprake GJKKO, pranoi kërkesën e Llallës për tu gjykuar me gjykim të shkurtuar.

Kjo kërkesë vjen pasi Llalla dyshohet se në tre raste nuk ka deklaruar paratë teksa ka kaluar kufirin për jashtë vendit.

Hetimet për Llallën nisën në vitin 2019 me procedimin penal numër 65 të ndjekur nga prokurori Klodian Braho. Akuza e komunikuar është „Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tre herë“.

 


Shtuar 19.03.2021 10:41