Shtimi i forcave të sigurisë rreth Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ishte lajmi i ditës në të gjithë mediat shqiptare.
Në shumë media u aludua se shtimi i forcave të sigurisë për ruajtjen e Altin Dumanit mund të lidhet për shkak të detyrës, si dhe mund të ketë patur kërcënime.
Por menjëherë pas këtij lajmi pati dhe një reagim nga ana e Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se në bisedën që ka patur me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rumbullaku, tha se nuk ka patur asnjë sinjal se drejtuesi i SPAK mund të jetë kërcënuar me jetë.
Nëse kjo që thotë Balla është ashtu siç thuhet, atëherë përse u pa e arsyeshme që të shtohet numri i forcave të sigurisë për ruajtjen e Dumanit, ku përveç Gardës në ruajtjen e tij të bëjnë pjesë edhe efektivë policie?
Një tjetër pyetje që lind është se përse Altin Dumani po lëviz me makinë të blinduar kohët e fundit?
Mbi të gjitha pikëpyetjet e ngritura sot në media dhe opinionin publik, se përse gjithë kjo “zhurmë” për ruajtjen e Dumanit, analisti Lutfi Dervishi, i ftuar në A2Cnn ka dhënë një version më pranë të vërtetës.
Sipas Dervishit, gjatë gjithë kësaj periudhe kemi parë se krimi ka qenë bashkëpuntor me politikën, ku shpesh edhe ësthë ulur në parlament, por asnjëherë nuk ka arritur të godasë në nivele të larta.
Dervishi theksoi se nëse lajmi që forcat e sigurisë janë shtuar ndaj Dumanit pasi ndihet i kërcënuar, atëherë kjo tregon se SPAK ka prekur telat e dikujt, nëse jo, atëherë ky është një mesazh i fortë.
”Krimi shqiptar deri më tani ka treguar se ka bashkëpunuar me politikën, por nuk ka guxuar të prekë apo godasë në këto nivele. Pra, krimi shqiptar nuk ka tentuar të godasë në nivele të larta siç janë prokurorët e SPAK. Nëse është lajm i vërtetë atëherë do të thotë se SPAK ka prekur telat e dikujt, por nëse nuk është e vërtetë do të thote se është një spin, nje mesazh i dikujt”, tha Dervishi.