Gjermania po tregohet gjithnjë e më efikase në tërheqjen e punonjësve të kualifikuar drejt tregut të saj të punës, por një pjesë e madhe e tyre nuk vendos të qëndrojë aty për një periudhë të gjatë.
Të lidhura
None found
Sipas Laura Goßner nga Instituti për Kërkime të Punësimit (IAB), kush synon të administrojë me sukses imigracionin duhet të kuptojë edhe arsyet e emigracionit. Gjatë një konference për shtyp në Berlin, ajo theksoi se mbajtja afatgjatë e njerëzve lidhet me ofrimin e mundësive të duhura, procedurave të besueshme, mbështetjes cilësore dhe një ambienti ku ata mund të ndërtojnë perspektiva të qëndrueshme për të ardhmen.
Organizata zhvilloi deri në prill 2025 një anketim online me persona nga 18 deri në 65 vjeç, të cilët ishin larguar nga Gjermania, për të kuptuar pse e kishin bërë këtë hap dhe cilët faktorë kishin pasur peshën më të madhe në vendimin e tyre. Studimi arrin në përfundimin se largimi nuk shpjegohet me një arsye të vetme. Pesha më e madhe, sipas tij, i përket faktorëve familjarë. Po ashtu, të anketuarit përmendën edhe përjetimet me diskriminimin. Një pjesë e konsiderueshme e faktorëve, si burokracia, strehimi dhe mësimi i gjuhës, mund të ndikohen nga politikat publike.
Po kush janë ata që largohen më shpesh nga Gjermania? Ekspertja e IAB-së, Theresa Koch, shpjegon se emigrantët që ikin sërish janë mesatarisht më të rinj, kanë kaluar më pak kohë në Gjermani dhe në më shumë raste kanë partnerë ose fëmijë jashtë vendit. Sipas saj, ata gjithashtu kishin më pak gjasa të zotëronin mirë gjermanishten, ndërsa kishin më shumë aftësi në anglisht.
Rreth 60 përqind e emigrantëve kthehen në vendin ku kanë lindur, ndërsa 40 përqind zhvendosen drejt shteteve të tjera. Mes vendeve më të preferuara renditen Spanja, Zvicra, Italia dhe Kroacia.
“Ne po konkurrojmë me vendet e tjera evropiane për punëtorë të kualifikuar”, deklaron Yuliya Kosyakova, drejtuese e departamentit të Migracionit, Integrimit dhe Kërkimit të Tregut Ndërkombëtar të Punës në Institutin për Kërkime të Punësimit (IAB).
Pakënaqësitë që lidhen me Gjermaninë nuk janë të reja: përmenden shpesh vonesat në përpunimin e natyralizimit, lejeve të qëndrimit, vizave dhe njohjes së kualifikimeve të fituara jashtë vendit.
Shpesh, emigrantët detyrohen të presin gjatë derisa autoritetet gjermane t’u japin përgjigje pyetjeve të tyre. Një tjetër pengesë janë kostot e larta burokratike. Po ashtu, problem mbetet mungesa e mbështetjes për punën dhe zhvillimin e karrierës, qoftë në qendrat e punësimit, nëpër qytete apo nga vetë punëdhënësit.
Laura Goßner thekson se të gjitha këto e vështirësojnë planifikimin afatgjatë, hyrjen në tregun e punës dhe krijimin e ndjenjës së përkatësisë ndaj Gjermanisë. Sipas saj, procedurat administrative ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si emigrantët e shohin të ardhmen e tyre në vend. Nëse këto procese perceptohen si të gjata, të paqarta ose të vështira për t’u ndjekur, atëherë kjo ndikon edhe në perspektivën e tyre për të qëndruar.
“Ne shohim se emigrantët me vlerësime më negative të procedurave të tilla ndihen mesatarisht më pak të mirëpritur në Gjermani”.
Një tjetër element kyç për integrimin në tregun gjerman të punës mbetet gjuha. Tilman Frank, kryetar i bordit të Shoqatës Federale për Punëtorët Ndërkombëtarë të Kualifikuar (Bundesverband internationale Fachkräftegewinnung e.V.) dhe drejtor menaxhues i “TalentOrange GmbH”, kompani që ka rekrutuar dhe mbështetur tashmë mijëra infermierë, edukatorë dhe fizioterapistë për Gjermaninë, shprehet se njohja e gjuhës është themelore për të gjetur rrugën e duhur në vend dhe veçanërisht në tregun e punës.
Sipas tij, vështirësitë lindin që në fillim kur procesi drejt Gjermanisë nuk ndërtohet siç duhet, kur nuk përzgjidhen personat e përshtatshëm dhe kur mësimi i gjuhës nuk mbështetet sa duhet. Në raste të tilla, gjasat që këta njerëz të kthehen në vendin e tyre janë relativisht të larta. Në të kundërt, nëse gjuha mësohet dhe zgjidhen personat e duhur, pra ata që janë përgatitur mjaftueshëm për hapin drejt Gjermanisë, atëherë normat e qëndrueshmërisë janë shumë të larta.
Frank ngre edhe pyetjen nëse trajnimet aktuale për infermierët janë të përshtatshme. Ai shpjegon se aktualisht, sidomos njerëz nga Kenia, India dhe Vietnami po kërkojnë të sigurojnë një vend në Gjermani.
Në Kenia kjo ndodh sepse Ministria e Punës atje po nxit emigrimin e të rinjve të papunë. Ndërsa në Indi dhe Vietnam, prindërit e shohin këtë si një mundësi që fëmijët e tyre të marrin trajnim të mirë. Kërkesa mbetet veçanërisht e lartë në kujdesin geriatrik. Për këtë arsye, Tilman Frank i bën thirrje qeverisë gjermane që të mbështesë mësimin e gjuhës gjermane në vendet e origjinës.
Ai thekson se përpjekjet për të ardhur në Gjermani pa njohuri të gjermanishtes nuk janë të qëndrueshme në planin afatgjatë. Si shembull, ai përmend programet ndërkombëtare të diplomave që zhvillohen në anglisht, ku njerëzit shpresojnë se do të mund të punojnë në Gjermani. Sipas tij, kjo nuk funksionon.
Një tjetër shkak i mundshëm i largimit është punësimi jo i përshtatshëm i emigrantëve. Frank jep si shembull rastet kur persona të trajnuar në kujdesin akut në spitalet e vendit të tyre, pa iu komunikuar qartë kjo, vendosen në Gjermani në azile pleqsh për të ofruar kujdes bazë.
Ai njeh nga afër edhe historitë e vështira që lidhen me xhunglën burokratike gjermane, ku shumë emigrantë hasin pengesa serioze. Kompania e tij mban madje një spreadsheet Excel ku dokumentohen në detaje absurditetet e situatave që mund të ndodhin, si për shembull kur dy punonjës të rasteve dërgojnë vendime të ndryshme dhe afate të ndryshme për përpunimin e vizave.
Për këtë arsye, mbështetja profesionale mbetet thelbësore. Sipas tij, politika gjermane më në fund e ka kuptuar se punëtorët e kualifikuar ndërkombëtarë jo vetëm duhet të vijnë, por edhe të qëndrojnë. Ai përfundon se në Gjermani ka si elemente pozitive, ashtu edhe negative.
“Agjencia Federale e Punësimit ka prezantuar një sistem të centralizuar, i cili është më i shpejtë dhe më i besueshëm. Hessen po prezanton një autoritet qendror të imigracionit. Ka plane edhe për një agjenci ‘Puno dhe Qëndro’ në nivel federal.”
Megjithatë, mungesa e personelit në institucionet shtetërore po i ndërlikon ndjeshëm shumë procese operative. Sipas vlerësimit të tij, dixhitalizimi po ecën përpara ngadalë, madje shumë ngadalë, ndërsa shtete dhe bashki të ndryshme ndjekin qasje të veçanta. Një model i unifikuar ende nuk ekziston. /DW
