Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se një person i rëndësishëm i botës së krimit është përgjuar duke planifikuar grabitjen e 613 kg kokainë të sekuestruar në portin e Durrësit në vitin 2018 dhe që aktualisht ndodhet në laboratorin e kriminalistikës së policisë.
Në emisionin “Opinion”, Lala tha se fillimisht plani ka qenë për grabitje me forcë të kokainës, por më pas është diskutuar që droga të vjedhet duke e zëvendësuar atë me një lëndë të ngjashme me kokainën.
Për këtë çështje, thotë Lala, SPAK ka nisur verifikimet dhe po analizon të gjitha pakot e kokainës për të zbuluar nëse ka patur apo zëvendësim të drogës.
“Një individ i lartë i botës së krimit është shprehur në aplikacionin SKY që të godisnin drogën e sekuestruar nga policia, për 613 kg kokainë që iu sekuestruan Arbër Çekajt. Qëllimi ishte për ta vjedhur. Për drogën e sekuestruar bëhen e analizat dhe vërtetohet që është e gjitha drogë. Dyshimet janë që ky grup kriminal e ka patur të pamundur të qëllosh me armë laboratorin shkencorë të policisë dhe ka zgjedhur një mënyrë tjetër për ta marrë drogën, duke e zëvendësuar më një lëndë tjetër të ngjashme me drogën. SPAK po e verifikon këtë. Po bëhen analiza për të parë nëse dorga e sekuestruar është kokainë apo është zëvendësuar. Bëhet fjalë për periudhën 2019-2021. SPAK ka refuzuar të kthej përgjigje për këtë edhe pse i kemi kërkuar informacion për këtë. Policia ka konfirmuar se ka një urdhër që të merren kampione për të parë nëse droga nuk është zëvendësuar. Në atë kohë drejtor i Policisë së Shtetit ka qenë Ardi Veliu, ndërsa aktualisht është drejtori i strukturës që heton policët. Pra, i bi që të hetojë veten. Por duhet thënë që SPAK po kryen prova për secilën pako”,-tha Lala.