Mërgim Vojvoda luajti çdo minutë për Kosovën, mediat italiane e cilësojnë “makineri” të Udineses

Mërgim Vojvoda ishte futbollisti i Udineses që qëndroi më gjatë në fushë gjatë ndeshjeve të fundit të kombëtareve, pasi mbrojtësi kosovar mori pjesë në të katër takimet e Kosovës.

Të lidhura

None found

Nga nëntë lojtarët e klubit italian të grumbulluar nga përfaqësueset e tyre, vetëm një pjesë arritën të aktivizoheshin. Vojvoda rezultoi më i angazhuari, duke kompletuar 360 minuta me fanellën e Kosovës.

“Katër prej nëntë futbollistëve të thirrur nga kombëtaret nuk luajtën asnjë minutë. Më i ngarkuari ishte padyshim Vojvoda, pasi trajneri i Kosovës e nisi si titullar në të katër ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe nuk e zëvendësoi në asnjërën prej tyre”, raportoi të mërkurën “Tuttomercatoweb”.

31-vjeçari është ndër figurat kryesore të Kosovës gjatë viteve të fundit dhe tashmë mban rekordin për numrin më të madh të paraqitjeve në historinë e “Dardanëve”.

Ai debutoi me Kosovën në vitin 2017, ndërsa deri tani ka luajtur 70 ndeshje me fanellën e Kombëtares.

Përkrah Vojvodës, asnjë minutë nuk humbën në këto katër përballje as mbrojtësit Lumbardh Dellova dhe Ilir Krasniqi.


Shtuar më 7.10.2026 18:21