“Sot u godit pluralizmi”, Këlliçi pas vendimit të Apelit: Rama dhe Veliaj po bëjnë çdo gjë të pengojnë zgjedhjet e lira

Belind Këlliçi përmes një reagimi në Facebook, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ka theksuar se Rama dhe Veliaj po lëvizin çdo gur që mos lejojnë zgjedhje të lira.

Këlliçi, i cili do të garojë përballë Veliajt në zgjedhjet vendore të 14 majit, theksoi se me vendimin e sotëm u dha një goditje ndaj pluralizmit.

Ai ka dënuar aktin, të cilin e ka quajtur të shëmtuar dhe ka siguruar demokratët dhe qytetarët se kjo pengesë, sipas tij, nuk do t’i ndalojë në betejën për sigurimin e votës së lirë.

Reagimi i plotë:

Sot u dëshmua që Edi Rama dhe Erion Veliaj po lëvizin çdo gur, çdo instrument që kanë në dorë, për të mos lejuar zgjedhje të lira dhe garë të ndershme. Ata kanë frikë nga ju, nga vota e lirë.

Vendimi i sotëm tregon se pala tjetër është e dëshpëruar përderisa i duhet që të përdorë marifete të pista për të manipuluar zgjedhjet. Sot u dha një goditje ndaj pluralizmit. Ata kanë frikë nga vullneti i qytetarëve, sepse Veliaj ka lënë pas dore banorët e Tiranës. Kudo që shkoj në qytetin tim, njerëzit janë të bindur se ka ardhur koha për ndryshim.

E dënoj me forcë këtë akt të shëmtuar. Gjithashtu garantoj demokratët dhe qytetarët që kjo pengesë e re nuk do të na ndalojë dot në betejën tonë për votën, për lirinë e zgjedhjes, për kthimin e Bashkisë së Tiranës në shinat e ligjshmërisë dhe në funksion të interesit publik.

Nuk ka pushtet, regjim, nuk ka dhunë e para, që të mund të ndalë vullnetin e qytetarëve dhe banorëve të Tiranës, për ndryshim.

Një forcë politike nuk e bën vula. Atë e bën fryma, shpirti dhe njerëzit. Prandaj unë sot jam më i motivuar se kurrë, bashkë me ju më i fortë dhe i vendosur, për t’ia rikthyer Tiranën qytetarëve të saj./Albeu.com/


Shtuar 3.03.2023 21:30