Ditën e sotme do të mbahet sërish protestë kundër rritjes së çmimeve.
Kjo do të jetë protesta e pestë në harkun kohor të këtyre ditëve, e thirrur nga shoqëria civile.
Protestat mbahen kundër rritjes së çmimeve të naftës e të karburanteve dhe nisën pikërisht pas rritjes drastike që pësoi çmimi i naftës gjatë ditëve të fundit, me sebepin e krizës në Ukrainë.
Ditën e djeshme Bordi i Administrimit të Karburanteve vendosi që nafta do të jetë 217 lekë/litër.
Kujtojmë se pjesëmarrja e qytetarëve në protestën e djeshme ishte vërtet e lartë dhe u kërkuan masa për rritjen e çmimeve, disa dhe largimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë katër ditëve protestë ka pasur disa protestues të shoqëruar dhe arrestuar. Pas protestës së djeshme para Kryeministrisë, protestuesit iu drejtuan Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kërkuan lirimin e protestuesve të arrestuar.
VENDIMI I QEVERISË:
Në mbledhjen e tij të datës 12 Mars 2022 Këshilli i Ministrave, miratoi Aktin Normativ
“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN 8450, DATË 24.2.1999 “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”.
Nëpërmjet këtij akti normativ normohen dhe monitorohen çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët.
Në zbatim të këtij Akti Normativ u mblodh menjëherë Bordi i Transparencës dhe kufizimit të përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit,.
Në mbledhjen e tij të parë, dhe bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ vendosi:
1.Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.
- Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 217 lekë/litri.
3.Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 12 Mars-15 mars 2022, të jetë 93 lekë/litri.
Bordi i Transparencës do mblidhet përsëri ditën e martë, datë 15.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Normativ.