Sot një muaj nga zgjedhjet e 14 majit, nis zyrtarisht fushata: Thirrje për qetësi dhe proces të rregullt

Nga sot na ndan vetëm një muaj nga zgjedhjet lokale të 14 majit, që do të thotë se kjo shënon nisjen zyrtare të fushatës elektorale.

Në të gjithë vendin do të votohet për 61 kryebashkiakë që do të qeverisin në pushtetin lokal për 4 vitet e ardhshme dhe për këshillat bashkiakë.

Sot partitë do të vijojnë normalisht me takimet zyrtare, teksa PS e çeli zyrtarisht fushatën tre ditë më parë, ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë” i Sli Berishës dhe Ilir Metës pritet të bëjnë të njëjtën lëvizje nesër.

Ndërkohë, OSBE-ODIHR ka bërë thirrje për zgjedhje të qeta, teksa bëri presidenti Bajram Begaj kërkon garantimin e procesit të rregullt.

Begaj kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të monitorojnë fushatën elektorale me kujdes dhe të dënojnë çdo fenomen që mund të cenojë procesin zgjedhor, mes tyre edhe shit blerjen e votës.

Ditën e djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi shortin që përcaktoi edhe renditjen e kandidatëve në fletën e votimit dhe ata për këshillat bashkiakë.

Në bashkinë e Tiranës do të jetë kandidati i Lëvizjes “Bashkë” ai që do të kryesojë fletën, Arlind Qori, teksa kryebashkiaku Erion Veliaj do të mbajë numrin 4, Pas tij, i pesti, në fletën e votimit renditet Belind Këlliçi i Koalicionit Berisha-Meta ndërsa i 6-ti Roland Bejko i PD zyrtare.

I dyti në fletën e votimit është kandidati i Frontit të Majtë Marko Dajti, ndërsa e 3-ta Lajla Përnaska nga PDIU-ja.

Sa i përket këshillit bashkiak, i pari në fletë do të jetë koalicioni Berisha-Meta, e dyta PS, ndërsa Partia Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj do të mbajë numrin 9. /albeu.com