Sot Dita e Verës, festa unike e shqiptarëve

14 Marsi është një ditë festive e veçantë në Shqipëri. Quhet “Dita e Verës” edhe pse festohet ardhja e stinës së pranverës. Dita e Verës konsiderohej dita e fillimit të vitit sipas kalendarit të lashtë të shqiptarëve dhe kjo ditë kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi.

Dita e Verës filloi të festohej masivisht në të gjithë Shqipërinë por rrënjët i ka në qytetin e Elbasanit, në qendrën e Shqipërisë. Jo vetëm rrënjët, por dhe gjithë traditat, gatimet dhe mënyra e festimit, janë ekskluzivitet i kësaj zone. Elbasani ka meritën se ka mbajtur ‘gjallë’ për shekuj këtë festë.

Dhe në kohën e diktaturës, ku kjo festë pothuajse u shua në Shqipëri, në Elbasan festohej si festa më e madhe e vitit, çdo 14 mars. Festimet nisnin me vendosjen e verores në dorë, kryesisht me ngjyrat simbolike të pranverës, e kuqe dhe e bardhë ndërsa amvisat përgatisnin Ballokumet.

Legjenda e Ditës së Verës

Dita e Verës është në një traditat më të vjetra të Elbasanit. Origjina e festës i ka gjurmët në tempullin e Zanës së Malit të ndërtuar pranë lumit Shkumbin në Elbasan. Zana ishte perëndia e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës dhe dilte vetëm në datën 14 Mars, e cila shënonte fillimin e Verës, kjo në atë kohë njiheshin vetëm dy stinë, dimri dhe vera.

Kjo legjendë u kalua brez pas brezi dhe festivali i Ditës së Verës është i njohur për traditën dhe vlerat e veçanta kulturore. Simboli i kësaj feste është ballokumja. Për këtë ditë te veçantë çdo familje ka recetën e saj të ruajtur ndër vite. Tani është bërë festë kombëtare. Kjo festë është bërë e njohur edhe për turistët që vizitojnë Shqipërinë./Albeu.com/


Shtuar 14.03.2023 07:30