Sot bëhen tre vite nga tërmeti 6.4 ballë që lëkundi vendin tonë orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit, duke shënuar 51 viktima dhe duke lënë qindra familje pa shtëpi.
Edhe pse kanë kaluar 3 vjet ngjarja është akoma e freskët për ata që kanë humbur të afërmit e tyre dhe për ata që ende nuk janë strehuar në shtëpitë e rindërtuara.
Dy zonat më të prekura dhe me më shumë viktima kanë qenë Durrësi ku ishte epiqendra dhe Thumana.
Kujtojmë se lëkundjet e forta sizmike lanë me pasoja psikologjike mijëra njerëz që e përjetuan dhe kjo frikë vijon edhe sot sapo ndjehet edhe një tërmet i lehtë.
Pas ngjarjes tragjike nuk duhet të harromë solidaritetin e vëllezërve, fqinjëve dhe miqve, që nuk mungoi. Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Franca e shumë vende të tjera sollën jo vetëm ndihma në Shqipëri, por edhe ekipe të kërkim-shpëtimit që për ditë me radhë kërkuan nën rrënoja për trupat e viktimave.