Sofja shpreh qëndrimin e saj ndaj Shkupit

Pak ditë para vizitës së tij në Shkup, kryeministri bullgar Kirill Petkov përsëriti se Sofja nuk e ka ndryshuar pozitën e saj në raport me negociatat me Maqedoninë e Veriut, por do ta mbindërtojë atë.

I pyetur nga deputetja Ekaterina Zaharieva, në Kuvendin popullor, nëse qeveria e re e Petkovit e ka ndërmend të ndryshojë konsensusin nacional me diçka tjetër, Petkov e mohoi këtë.

Kryeministri bullgar deklaroi se negociatat me Shkupin do të zhvillohen sipas marrëveshjes së koalicionit mes partive në qeveri.

“Pozita e Republikës së Bullgarisë për procesin e negociatave me Maqedoninë e Veriut është brenda pikave pikërisht siç jemi dakorduar gjatë formimit të koalicionit që është bërë “online” dhe patën mundësi ta shohin të gjithë qytetarët bullgarë. Ajo pozitë mbetet dhe e mbindërtojmë me pesë komisione të ndryshme. Kemi koordinim të plotë në Këshillin e ministrave për këtë temë dhe shkuarja në bisedime më 18 janar tregon se fqinjësia e mirë është parim bazë në marrëdhëniet tona më Maqedoninë e Veriut.”- deklaroi Krill Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Petkov tha se pesë grupet që do të formohen do të bisedojnë për çështje të rëndësishme mes dy vendeve.

“Unë nuk e kuptoj se pse në vitin 2021 ne nuk kemi pasur asnjë fluturim nga Sofja në Shkup, nuk e kuptoj pse në vitin 2021 nuk kemi asnjë linjë hekurudhore Sofje-Shkup, nuk e kuptoj pse nuk kemi një kalendar të përbashkët kulturor dhe më shumë bashkëpunime mes bizneseve tona.”- pohoi Krill Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Pesë grupet e punës do të jenë në fushat infrastrukturë, ekonomi, kulturë, eurointegrime dhe histori. Petkovi në Shkup me ekipin e tij do të vijë më 18 janar, pasi Kovaçevski të ketë marrë detyrën e kryeministrit./alsat

 

 


Shtuar 7.01.2022 16:01