Sociologu Gëzim Tushi: E tmerrshme, fëmijët dalin në natyrë më pak se të burgosurit

Sociologu i njohur Gëzim Tushi, gjatë një interviste televizive, ka folur për rëndësinë që ka kontakti me natyrën në zhvillimin e fëmijëve.

Tushi citon një filozof dhe sociolog të shquar britanik kur thotë: “Fëmijët e sotëm dalin në ajrim, në natyrë, më pak se të burgosurit”, kjo sipas tij, është e tmerrshme!

Gëzim Tushi: “Është e tmerrshme! Ky obligimi i tërë kohës të fëmijëve, në procesin e zhvillimit të tyre intelektual, është strapacim dhe është në kundërsens me zhvillimin moshor; është në kundërsens me zhvillimin e tyre të natyrshëm”.

Gazetari: S’i del koha të bëjnë një gabim.

Gëzim Tushi: “Një fëmijë që të zhvillohet në mënyrë integrale ka nevojë që të zhvillohet mendërisht, fizikisht, emocionalisht, pra janë disa komponent. Nuk është vetëm një komponent, të mësosh gjuhët e huaja apo të mësosh shkenca të caktuara për të qenë konkurrues. Kjo ka bërë që të reduktohen dy gjëra të rëndësishme: koha e lirë e fëmijëve që është reduktuar në minimum… Unë po ju them, është një filozof, një sociolog shumë i shquar, dhe ai thotë: “Fëmijët e sotshëm dalin në ajrim, në natyrë, më pak se të burgosurit”.

Është e tmerrshme! Të burgosurit, thotë ai, marrin kontakt me ajrin dhe me natyrën më shumë. Sepse ne fëmijët i çojmë në shkollë, janë të mbyllur në aulat e mësimit, i çojmë andej i marrim në shtëpi, hamë drekë, i çojmë në kurs, nga kursi në kurs, në shtëpi, në gjumë, në krevat. Ky cikël i mbyllur i tyre i pengon ata me zhvillimin. Prindi duhet të kuptojë një gjë, gjëja më e rëndësishme për fëmijët është loja! Loja është kontakti me natyrën dhe kontakti me natyrën zhvillon tek fëmija shumë gjëra”.

 


Shtuar 22.01.2024 11:36