Skemë mashtrimi e evazion fiskal, Eni Çobani përfundon në gjyq

Juristja e njohur e ‘Shihemi në gjyq’, Eni Çobani përfundon në gjykatë. Report Tv mëson se Çobani ka kallëzuar menaxherin e zyrës së saj ligjore, Erik Çorati, dhe pretendon se i ka vjedhur mbi 50 mije euro nga klientët. Çorati është arrestuar. Para gjykatës, në seancën e masës së arrestit, Çorati ka mohuar akuzën duke akuzuar Çobanin.

Çorati është arrestuar nga Seksioni për Krimin Ekonomik e Financiar.

Çobani në cilësinë e administratores së studios ligjore që administron ka bërë kallëzim penal ku ka shprehur se shtetasi Erik Çorati, menaxher i studios ligjore, nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës ka përfituar shuma të konsiderueshme monetare nga klientë të cilët paraqiteshin pranë zyrës së saj për të marrë konsulencë ligjore dhe shërbime juridike.

Çorati akuzohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, ”Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. Çorati është lënë në arrest shtëpie. Prokurori Bledar Valikaj është shprehur në gjykatë se përtej arrestit prokuroria do hetojë nëse kemi të bëjmë me skemë mashtrimi ndaj klienteve dhe evazioni pasi pagesat e klienteve ndaj studios janë pa fatura tatimore të leshuara nga firma e znj.Çobani.

Në dosjen e siguruar nga Report Tv sqarohet se juristja Eni Çobani herë pas herë ka marrë ankesa nga klientë të saj të cilët pretendonin se kishin  bërë pagesa nga 30 mijë lekë deri në 400 euro për të dorëzuar dosjet, ndërkohë që Çorati nuk pranonte fillimisht të kishte marrë para. Më pas në një rast konkret ai pranoi dhe kërkonte të largohej menjëherë nga puna.

Vetëm pas 6 ditëve janë gjetur dosjet e fshehura nga Erik Çorati dhe ka rezultuar se ka marrë rreth 51 mijë euro.

Fillimisht dëmin pranoi ta paguante i ati Erik Çoratit, Agroni. Por sipas Çoratit Eni Çobani vijoi të rriste dëmin që sipas saj ishte shkaktuar. Fillimisht Çobani ka thënë që shuma ishte 10 mijë euro, më pas 30 mijë euro dhe në fund mbi 50 mijë euro. Kjo ka shkaktuar edhe përplasjen që ka shkuar në gjykatë. Në dosje është edhe dëshmia e Erik Çoratit, i cili teksa shpjegon të gjithë situatën sipas tij, thotë edhe se Eni Çobani e ka kërcënuar babain e tij se do ta vriste Erikun./shqiptarja

 


Shtuar 21.03.2022 13:44