Skandali te Onkologjiku, Koçiu: Jam e neveritur nga kjo histori

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka reaguar pas skandalit të zbuluar tek Onkologjiku ku disa mjekë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vend që të jepnin shërbim për pacientë me sëmundje tumorale, i orientonin ata drejt spitaleve private më qëllim përfitimin ekonomik.

Koçiu tha se është e neveritur nga kjo histori, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Ajo u shpreh se kjo ishte ngjarje e paprecedentë, ndërsa shtoi se personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit.

“Ngjarja e sotme patjetër që të krijon një neveri të madhe. Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Mbi të gjitha kur flasim për punonjësit e sistemit të shëndetësisë të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetëve të njerëzve. Është një ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur nga kjo histori. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, sipas procedurave administrative dhe të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë që këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha, nuk mund përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në të gjithë Shqipërinë dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor.”, tha ministrja.

Gjykata e Tiranës ka caktuar 7 masa “arrest shtepie” dhe “detyrim paraqitje” për mjekët e spitalit Onkologjik ku dhe u raportua skandali. Prokuroria e Tiranës ka zbardhur skenën abuzive, në të cilin ishin përfshirë mjekë dhe specialist të Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, pasi në vend që të jepnin shërbim për pacientë me sëmundje tumorale, bënin të kundërtën, duke i orientuar ata drejt spitaleve private më qëllim përfitimin ekonomik. Në njoftim thuhet se nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave. Organi i akuzës thotë se në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.


Shtuar 25.06.2024 17:41