Skandali te Onkologjiku/ Gjykata e Posaçme liron mjekun Edmond Gashi

Gjykata e Posaçme, ka zbutur masën e sigurisë mjekut Edmond Gashi, nga “Arrest në shtëpi” në “Detyrim paraqitje”, i cili akuzohet për skandalin tek spitali Onklologjik në QSUNT.

Ndryshimi për masën e sigurisë, ka ardhur pas dhënies së garancisë pasurore prej 20 milionë lekësh nga Gashi, si dhe bllokimi i pasaportës për të mos dalë jashtë vendit.

Kjo masë ka ndryshuar të premten, por u njoftua vetëm ditën e sotme (11 Nëntor).

Burime për mediat bëjnë me dije se, Prokuroria e Posaçme nuk ishte dakord me kërkesën e mbrojtjes, duke kërkuar vijimin e masës, teksa pas vendimit të GJKKO do të ushtrojë ankimim në Apelin e Posaçëm.

Gashi akuzohet se pacientët me sëmundje tumoriale të spitalit publik, i çonte për t’i operuar në klinikën private të tij “Megis” në Astir, shpesh herë edhe pa qenë e nevojshme.

Mjeku Edmond Gashi, ishte i vetmi i cili kishte mbetur në masë arresti në lidhje me skandalin tek Onkologjiku, pasi më 18 shtator, Apeli i Posaçëm zbuti pozitat dhe për farmacistin Florian Marku, i cili do të hetohet në detyrim për t’u paraqitur, duke iu hequr masa e “arrestit në shtëpi”.

Po ashtu, vendosi të shuajë masat detyrim paraqitje për babain e mjekut Edmond Gashi, Halil Gashin, administrator i klinikës private “Megis” ku adresoheshin pacientët, si dhe për ish-nëndrejtoreshën e QSUT, Brikena Qirjazi.

Nën hetim për këtë dosje janë edhe mjekja Alketa Pere, Emiljano Lela dhe Drilona Kishta, të hetuar në masën “detyrim paraqitje”.

Hetimi për këtë çështje nisi fillimisht nga Prokuroria e Tiranës, ku nga hetimi i kryer ka rezultuar se pacientëve të diagnostikuar me tumor, nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor në spitalin shtetëror dhe më pas drejtoheshin në klinika private.

Mjekët e spitalit publik i orientonin pacientët për t’i operuar drejt klinikave private, shpesh herë dhe pa qenë e nevojshme për ta, me qëllimin e vetëm për të përfituar prej tyre.

Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Mjekët veç akuzës së “shpërdorimit të detyrës”, po hetohen dhe për korrupsion, pasi po iu verifikohet pasuria.

Ndërkohë, deri më tani SPAK është në pritje të përgjigjeve nga një sërë institucionesh, lidhur me kërkesat për të dhëna e dokumentacion mbi mjekët si edhe për pasurinë e tyre. Kjo çështje po hetohet nga prokurori Elvin Gjoka.


Shtuar 11.11.2024 14:21