”Skandali po mbulon skandalin”, Salianji: Majlinda Bufi është ”Rama i Roskovecit”

Demokratët e Rithemelimit kanë zhvilluar një takim ditën e sotme në Roskovec. Deputeti Ervin Salianji gjatë fjalës së tij, tha se demokratët tani janë kudo në këmbë.

Salianji u shpreh se “bimbashi” i Fierit nuk shkon në burg se e mbron Edi Rama, ai i Lushnjes shkoi në burg, Majlinda Bufi këtu ka 100 të zeza, duke shtuar se këta janë njerëzit që zgjedh Rama.

“Janë po këta njerëz problematikë që janë në krye të çdo institucioni publik në këtë vend.

Janë njerëz që paguhen nga taksat e qytetarëve, por që kthehen në shërbim të krimit”, tha Salianji.

Ai shtoi se asnjë nga këta nuk ka vlerë, por aty është Edi Rama.

“A nuk ishte Bufi që u kap me zë dhe figurë duke kërcënuar demokratët dhe qytetarët me bukën e gojës për votën?

Pse nuk shkon në burg? Sepse ajo është Rama i Roskovecit”, tha Salianji.

Ai shtoi se në këtë vend ndodhin thagma nga dita në ditë, skandali po mbulon skandalin.

“Policia e Shtetit turret për të mbuluar korrupsionin qeveritar, por harrojnë se nuk mbjellin dot asnjë frikë.

Protestat janë kundër korrupsionit qeveritar dhe asnjë marifet i drejtuesve politik të Policisë nuk mund të ndalin vrullin qytetar të pakënaqësisë.

E keni parë ju se si Edi Rama kërkon prapë mandate të 4, sepse thotë që jam garant i reformës në drejtësi.

Po ç’punë ka Edi Rama me reformën në drejtësi?

Po pse për këtë u mbështet dhe u trumpetua edhe nga ndërkombëtarët që të jetë Rama ai që urdhëron dhe jep sinjale për reformën në drejtësi”, tha Salianji.

Ai u shpreh se ne duhet të çrrënjosim të keqen në zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato edhe të parakohshme.


Shtuar 20.04.2024 20:00