Skandali i sistemit TIMS, AKSHI dështon totalisht: Rrjeti i policisë, han pa porta, AMP bën kallëzim penal

Skandalet nuk kanë të ndalur në Policinë e Shtetit. Pas zbulimit nga aplikacioni SKY se drejtues të lartë të policisë ishin vënë në shërbim të bandave duke marrë pagesa mujore prej tyre, sëfundmi është zbuluar edhe një linjë e paautorizuar internet në Forcën e Posaçme Operacionale, e cila dyshohet se është përdorur pikërisht për qëllime të transferimit të të dhënave në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë, pak ditë më parë ndodhi një skandal tjetër, që lidhet me marrjen e të dhënave nga sistemi TIMS, ndërkohë që përgjegjës për sigurinë e rrjetit është pikërisht AKSHI, i cili e ka marrë të drejtën prej disa vitesh për të menaxhuar rrjetin, shkruan AlbEu.com.

Pavarësisht kësaj, burime bëjnë me dije se persona të pautorizuar kanë patur akses në këtë rrjet duke parë apo marrë të dhëna edhe nga sistemi TIMS.

Padia

Duket se skandali është bërë aq i madh sa tashmë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka filluar hetimet për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet se kanë nxjerrë të dhëna jashtë përmes aksesit të paautorizuar me linja interneti apo edhe me IP të caktuara.

Jo më kot sot, AMP ka kallëzuar penalisht Tiranës Forcën e Posaçme Operacionale, pasi është zbuluar se në këtë strukturë është përdorur një linje e paautorizuar Interneti. Mësohet se kallëzimi është bërë në korrik.

Përdorimi i një linje të paautorizuar interneti ngre dyshime të forta se mund të jetë përdorur për transferim të dhënash. Hetimi është mbajtur top sekret dhe prokuroria nuk bëri komente në lidhje me rastin, ndërsa nuk dihen ende se cilët janë zyrtarët e kallëzuar.

Ky dyshim ka ardhur dhe pas konsultimeve me njohës të mirë të specialistëve të IT-së. Po ashtu ka dyshime se kjo linjë mund të jetë përdorur dhe për hakerim. Kallëzimi i AMP është bërë para se ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri të arrestohej.

Si funksionon

Rregulli dhe ligji e do që sisteme të sigurisë të veçantë, siç janë ato të Policisë së Shtetit apo sisteme të ngjashme që kanë të dhëna sensitive, të jenë në një rrjet të mbyllur pa akses nga jashtë. Por duket se rrjeti i menaxhuar nga AKSHI është bërë “autostradë” ku çdokush që ka patur një IP të caktuar ka mundur të futet edhe në të dhënat e sistemit TIMS duke përgjuar lëvizjet e personave të ndryshëm, gjë e cila është një shkelje e rëndë e ligjit.

Bën mirë që krahas policëve, AMP të shohë hapësirat ligjore që të merret edhe me mënyrën se si AKSHI ka menaxhuar rrjetin duke e bërë një han pa porta.

Reagimi

Ndërkohë AKSHI ka reaguar ndaj lajmeve se ka dështuar në sigurinë e rrjeteve të Policisë.

“Referuar lajmit të publikuar sot për marrjen e të dhënave në sistemin TIMS, të Policisë së Shtetit, në detyrim të të qënit trasparent dhe të informimit korrekt të qytetarëve shqiptarë AKSHI sqaron se: Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk ka lidhje as me sistemin TIMS, as me informacionet për një padi të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore apo ndonjë strukture tjetër të brendshme në Policinë e Shtetit.
Ndaj, për sa më sipër, ftojmë mediat që kanë publikuar këto akuza të pabaza e krejt të pavërteta të mirëinformohen e t’i verifikojnë me korrektesë e profesionalizëm, informacionet që publikojnë, me qëllim që të mos keqinformojnë qytetarët.
Misioni i vetëm i AKSHI-t është hartimi dhe zbatimi korrekt i politikave, strategjive dhe projekteve të Teknologjisë së Informacionit dhe zhvillimit të inovacionit në Shqipërisë për t’ua lehtësuar gjithmonë e më shumë jetën shqiptarëve”, reagon AKSHI.

/albeu.com


Shtuar 15.08.2023 12:02