Skandali i Onkologjikut/ Dalin përgjime të reja, mjeku Gashi dyshohet se luante bixhoz online

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me dosjen hetimore lidhur me skandalin e spitalit të Onkologjikut kua janë të përfshirë mjekë dhe stafi i këtij spitali. Nga publikimi i një pjese të dosjes hetimore hidhen dyshime se mjeku Edmond Gashi luante bixhoz online përmes kompjuterëve.

Nga bashkëbisedimi që Edmond Gashi zhvillon me një shtetas që i drejtohet Zamo, ky i fundit e pyet si s’vazhduan të luajmë dje. Në vijim të bashkëbisedimit, Gashi interesohet nëse mund të luajnë dhe nëse janë ose jo kompjuterat bosh.

Nuk dihet se për çfarë loje bëhet fjalë, por bashkëbiseduesi i Edmond Gashit përmend “një 15-ce për një 3”, çka duket se mund të jetë shuma që do të luhet për 3 lojtarë ose me koeficientin 3. Gjithsesi hetimi mund të zbardhë edhe këtë detaj, që duket se ka zbuluar një tjetër anë jo shumë pozitive për mjekun Gashi.

Ky i fundit është lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” nga Gjykata, edhe pse sot ai arriti të largohet nga ambientet e Gjykatës së Tiranës, i pashoqëruar nga forcat e rendit, ashtu sikundër ndodh normalisht në rastet kur një individ qëndron në masë sigurie “arrest shtëpie”.

Edmondi: Hë mo Zamo

Nr telefonit: Hë mo doktorë Edmondi, si s’vazhduam tu lujt dje

Nr: telefonit: Unë të thashë të erdha tek kompjuteri një 15-ce për një treshe

Edmondi: Ikim tani kapim dot gjë

Nr telefonit: Vetëm Mario është, kompjuterat bosh mos rrijnë ne tia mbushim atij

Skandali te Onkologjiku

Prokuroria e Tiranës zbardhi skemën abuzive, në të cilin ishin përfshirë mjekë dhe specialist të Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, pasi në vend që të jepnin shërbim për pacientë me sëmundje tumorale, bënin të kundërtën, duke i orientuar ata drejt spitaleve private më qëllim përfitimin ekonomik.

Në njoftim thuhej se nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave. Gjithashtu po nga hetimet e kryera ka rezultuar se në Spitalin Onkologjik prej vitit 2021 është instaluar një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e pacientëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale, pajisje kjo që mësohet se nuk është shfrytëzuar.

Por skema abuzimit nuk ndalej vetëm me orientimin tek spitali privat në pronësi të një prej të akuzuarve, mjekët në fjalë drejtonin pacientët e tyre edhe për ilaçe në farmaci private. Për këto të fundit nuk përjashtohet mundësia që të jenë furnizuar po nga mjekët e onkologjiku për nxjerrjen e ilaçeve nga spitali për tregtim në farmacitë e tyre private.


Shtuar 27.06.2024 19:47