Skandali i mbetjeve toksike/ Deputetja e PD: Kurum ka krijuar ferrin mjedisor, Prokuroria të hetojë

Deputetja e Partisë Demokratike, e Qarkut të Elbasanit Zheni Gjergji, ka reaguar mbi atë që konsiderohet si skandali i mbetjeve toksike, ndërsa i kërkon kompanisë Kurum të bëjë menjëherë transparencë, e t’u thonë qytetarëve të Elbasanit ku prej vitesh ushtrojnë aktivitetin, nëse gjenerojnë lëndë të rrezikshme e toksike e si i trajtojnë ato.

Gjergji shkruan se skena tani është bërë e madhe, nga Durrësi në Tajlandë, por s’duhet të harrojmë se Elbasani e banorët e tij, janë më të prekurit, duke qënë se Kurum e ka aktivitetin pikërisht në qytetin tonë.

“Ndotja e ajrit nuk është e re për elbasanllinjtë që janë dënuar të jetojnë në këtë ferr mjedisor prej kohësh.

Asgjë nuk ka ndryshuar me gjithë kërkesat tona, ngritjen e zërit e protestat prej ndotjes që vjen nga Metalurgjiku, që tanimë i është shtuar edhe kontributi i Bashkisë me inceneratorin”, shkruan Zheni Gjergji.

Postimi i Zheni Gjergji:

“Mbetjet e rrezikshme në Elbasan? Transparencë tani dhe menjëherë!

Si deputete e Kuvendit, si qytetare, si prind jam thellësisht e tronditur nga zbulimi i trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme ku vendi ynë del i përfshirë dhe do të mbështes nismat e Grupit Parlamentar të PD për transparencë, sapo të nisë sesioni i ri i Kuvendit.

Si e zgjedhur dhe e mandatuar nga qytetarët e Elbasanit ku edhe banoj,  jam edhe më shumë e shqetësuar për këtë kanosje të mjedisit, të shëndetit, të jetës.

Kjo pasi shumë raportime, e të dhëna deri tani, sugjerojnë se gjeneruesi i mbetjeve është Kurum.

E kuptoj se skena tani është bërë e madhe, nga Durrësi në Tajlandë, por s’duhet të harrojmë se Elbasani e banorët e tij, janë më të prekurit, duke qënë se Kurum e ka aktivitetin pikërisht në qytetin tonë.

Ndotja e ajrit nuk është e re për elbasanllinjtë që janë dënuar të jetojnë në këtë ferr mjedisor prej kohësh.

Asgjë nuk ka ndryshuar me gjithë kërkesat tona, ngritjen e zërit e protestat prej ndotjes që vjen nga Metalurgjiku, që tanimë i është shtuar edhe kontributi i Bashkisë me inceneratorin.

Por tani mesa duket kemi kaluar nga krimi mjedisor, në krimin e trafikut të lëndëve të rrezikshme.

Sërish me origjinë Elbasanin.

Kjo kompani në fillim e ka mohuar. Por më pas, ka refuzuar t’i përgjigjet medias. I kërkoj drejtuesve të saj të bëjnë menjëherë transparencë e t’u thonë qytetarëve të Elbasanit ku prej vitesh ushtrojnë aktivitetin, nëse gjenerojnë lëndë të rrezikshme e toksike e si i trajtojnë ato. E kanë këtë detyrim ndaj elbasanllinjve.

E nxis prokurorinë e Durrësit që ka hapur procedimin, të bëjë një hetim të plotë e të thellë të rastit.

Institucionet e agjensitë rajonale e lokale të bëjnë detyrën e të verifikojnë sipas ligjit, dyshimet që kanë lindur.

Sa për qeverinë, e cila duhej të ishte në komunikim të vazhdueshëm me publikun prej ditës së parë, nuk kam asnjë shpresë. Me siguri ata janë të zënë duke numëruar turistët e renditur sukseset e paimagjinueshme të rilindjes”, shkruan ajo.


Shtuar 24.08.2024 12:29