Skandali i korrupsionit në Ministrinë e Financave, Apeli i Tiranës zbut masën e sigurisë për Arlind Gjokutajn

Gjykata e Tiranës ndryshon masën e sigurisë për ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Fianacave, Arlind Gjokutaj.

Nga arrest në shtëpi për të është vendosur që të vijojnë hetimet në detyrim paraqitje.

Arlind Gjokutaj u arrestua në Janar të këtij viti  për shpërdorim detyre me pasoja 1.2 milionë euro në arkën e shtetit.

Sipas prokurorisë Gjokutaj dyshohet për shpërdorim detyre  ne kompensimin e  një prone në vlerën e rreth 1.2 milion euro. Ndërkohë që në arrest shtëpie vijojnë të qëndrojnë Alban Ruli përmbarues privat dhe Fatmir Hoxha drejtor juridik në Ministrinë e Financave. Hetimet për këtë çështje janë drejt përfundimit dhe pritet që dosja tp kalojë me kërkesën për gjykim në Shkallën e Parë.

Skema abuzive u  zbulua në mënyrë rastësore, pas një denoncimi të çuar në prokurori nga një bankë e nivelit të dytë në vend.

Prokuroria theksoi në një njoftim për mediat se këta persona i kanë kryer shkeljet ligjore pasi kanë pranuar shpërblimin prej 82 milionë lekëve (rreth 750 mijë dollarë) prej shtetasit Ilir Thana.

50 milionë lekë (afro 455 mijë dollarë) nga shuma e premtuar ata ia kishin kaluar në llogarinë e Thanës, në këmbim të njohjes së tij si pronar i një prone, pa qenë i tillë gjatë një marrëdhënieje kontraktuale me Drejtorinë e Shërbimit Qeveritar të zgjidhur nga gjykata.

Në korrik të vitit 2000 Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi pavlefshmërinë e një kontrate shitjeje magazine të vitit 1992 mes Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar, Agjencisë Kombëtare të Privatizimit dhe blerësit Ilir Thana.

Sipas këtij vendimi, palët ktheheshin në gjendjen e mëparshme, magazina i kthehej Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe kjo së bashku me AKP-në t’i kthenin blerësit vlerën e objekteve magazinë dhe truall, veprime që u kthyen deri në shkurt 2015.

Por shtetasi Ilir Thana i është drejtuar sërish pas disa vjetësh zyrës përmbarimore, e cila në vitin 2022 ka vlerësuar magazinën dhe truallin në vlerën 1 milionë e 300 mijë dollarë, duke e trajtuar atë si ish pronar, “kur ai nuk ka qenë asnjëherë me këtë status”, thuhet në njoftim.

Sipas prokurorisë, “vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është ndarë në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1 milionë e 200 mijë euro”.

Ministria e Financave ka kaluar deri tani në llogarinë e Ilir Thanës 48 milionë lekë (436 mijë dollarë), të cilat prokuroria ka urdhëruar të sekuestrohen, por ka arritur të kapë vetëm 22 milionë (200 mijë dollarë), ndërsa 25 milionë lekë (227 mijë dollarë) janë kaluar tashmë në favor të një shtetaseje.

Në njoftimin e prokurorisë së kryeqytetit thuhet se këta 3 persona dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën sipas nenit 248 të Kodit Penal dhe mund të dënohen deri në shtatë vjet burgim.

Prokuroria urdhëroi edhe ndalimin e shtetasit Ilir Thana, si i dyshuar për vjedhje në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda parashikuar në nenin 134/3 me 4 deri në 10 vjet burgim, si dhe për pengime në ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, dhe sipas neni 320 rrezikon burgim gjer në dy vjet./Albeu.com.


Shtuar 31.05.2023 12:25