Skandali i Artan Lames, reagon ashpër Ilir Meta dhe ka një paralajmërim për policinë

Presidenti Meta ka reaguar në lidhje me audiopërgjimin e kreu të legalizimeve, Artan Lame.

“Pres nga Drejtësia të zgjohet dhe të nisë menjëherë hetimet për këtë skandal të rëndë, që meriton ndëshkim…”- shkruan Meta me tone të ashpra.

REAGIMI I PLOTË:

Një audio-përgjim tronditës, që provon se për “Rilindjen” shqiptarët janë “mish për top”, ndërsa zyrat e shtetit, që paguhen me taksat tona, janë kthyer në strofulla të fuksave, banditëve, të korruptuarve, shkelësve të ligjit dhe “taksidarëve” të biznesit kriminal të votës. Pres nga Drejtësia të zgjohet dhe të nisë menjëherë hetimet për këtë skandal të rëndë, që meriton ndëshkim. I bëj thirrje Policisë së Shtetit, të bëjë kujdes dhe të ndalë përpjekjet për manipulimin e provave të flagrancës të krimit zgjedhor. Mos e detyroni popullin të arrestojë të paudhët!

Rikujtojmë se vetëm pak orë më parë, gazetari Artan Hoxha bëri publike një audio e cila zbulonte se si Lame mësonte vartësit e tij të gënjenin qytetarët të cilët kanë aplikuar për legalizime.

Lame deklaronte se nëse qytetarët marrin një përgjigje negative, vota e tyre do të shkonte për opozitën. /albeu.com/

Shtuar 20.04.2021 15:08