Moratorumi 1-vjeçar në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit për mos lobim për njohje diplomatike nga shtetet që nuk njihet përfundon nesër. Gazeta Ekspress shkruan se nga nesër Kosova mund të fillojë e lirshme lobimin e saj për tu njohur nga shtetet e tjera. Pikë tjetër në marrëveshjen e Uashingtonit ishte gjithashtu edhe mos-anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Ndërkohë që marrëveshja e firmosur nga Kosova dhe Serbia në SHBA nën administratën e ish-Presidentit Donald Trump, gjithashtu parashtronte që Serbia të mos vazhdonte fushatën e saj kundër Kosovës.
“Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”, thuhej në një nga pikat e marrëveshjes.
Në anën tjetër, përgjatë ditës Departamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të vazhdohet moratoriumi lidhur me çështjet e njohjes.
“Në mënyrë që të mbështetet suksesi i dialogut dhe përpjekjeve të tjera, ne inkurajojmë të dy palët që të mbajnë moratoriumin e tyre mbi çështjen e njohjeve që komplikon përparimin në fushat teknike”, tha një zëdhënës i DASH-it gjatë së premtes.
Po ashtu, nga DASH-i kanë kërkuar respektimin e detyrimeve të dala nga Marrëveshja së Uashingtonit edhe këtë vit nga të dy shtetet.
Ndërkohë që ndaj kërkesës së DASH, qeveria Kurti nuk i është përgjigjur ende, por duke marrë parasysh se kjo e fundit i ka konstatuar disa nga pikat e marrëveshjes dhe se në Kuvend nuk kanë kaluar rezolutën për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, marrëveshja mund të mos zgjatet më./albeu.com